Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Tërhiqet Qeveria, “për Ligjin për Zgjedhje gjithçka vazhdon në bashkëpunim me opozitën”

Lëvizja Vetëvendosje dhe Qeveria janë tërhequr nga iniciativa për ndryshime të shpejta në Ligjin për Zgjedhje, të iniciuar të premten. Pas shumë tensioneve të krijuara gjatë gjithë ditës së premte, të shtunën ushtruesi i detyrës së presidentit, Glauk Konjufca, ka njoftuar se pas një takimi me kryeministrin Albin Kurtin dhe pretenduesen për presidente, Vjosa Osmani, janë marrë vesh që mazhoranca të garantojë të mos bëjë veprime pa u konsultuar me opozitën, e që opozita të mos e bojkotojë procesin e zgjedhjes së presidentit, me qëllim të shmangen zgjedhjet.

U.d presidenti i Kosovës, Glauk Konjufca, është takuar me kandidaten për presidente Vjosa Osmanin dhe kryeministrin Albin Kurti, për të biseduar lidhur me votimin e presidentit dhe Ligjit për Zgjedhjet i cili tensionoi marrëdhëniet mes Qeverisë e opozitës.

Për t’iu shmangur zgjedhjeve të reja dhe nevojës për stabilitet politik e institucional në Kosovë, Konjufca ka thënë se Ligji për Zgjedhjet “do të jetë pjesë e një procesi të ardhshëm dialogimi mes mazhorancës dhe opozitës”.

“Për ta krijuar një atmosferë të domosdoshme mirëbesimi para se të hyjmë në këtë proces, ata më premtuan dhe garantuan që gjithçka ka të bëjë me ligjin për zgjedhjet do të jetë pjesë e një procesi të ardhshëm dialogimi mes mazhorancës dhe opozitës dhe se bashkë do ta bëjmë dhe përmbyllim reformën zgjedhore. Kështu që, pas vullnetit të qartë që e shprehu mbrëmë opozita me votën e saj në Kuvendin e Kosovës, nuk mbetet tjetër veçse të sigurohemi që mazhoranca e Kuvendit të garantojë që të mos bëjë asnjë veprim pa u konsultuar me opozitën në këtë aspekt, kurse opozita që nuk do ta bojkotojë procesin e zgjedhjes së Presidentin, me qëllim të shmangies së zgjedhjeve të përsëritura”, thuhet në komunikatën zyrtare.

Të premten, Vetëvendosje inicioi ndryshimet e shpejta në këtë ligj. Kjo u pa si shantazh nga partitë opozitare, sidomos pas deklaratës së kryeministrit Kurti që kërcënoi opozitën me zgjedhje të reja, nëse nuk ia mundëson kuorumin për ta zgjedhur Vjosa Osmanin presidente. Seanca u mbajt në mbrëmje, por në votim VV-ja nuk pati 2/3 e votave për ta kaluar ligjin në procedurë të përshpejtuar. Pas mbledhjes, LDK-ja kërkoi tërheqjen e ligjit për ta votuar Osmanin, ndërsa VV-ja u shpreh se nuk tërhiqet.