Instituti i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka alarmuar për rrezikun e helmimeve ushqimore si pasojë e temperaturave të larta.
Në një apel të IKSHPK-së të publikuar në Facebook thuhet se në kushte të tilla mikroorganizmat shumohen më shpejt dhe ushqimi prishet më lehtë.
Në apel thuhet se kujdesi gjatë përgatitjes dhe ruajtjes së ushqimit është shumë i rëndësishëm për të shmangur sëmundjet.
Tutje thuhet se kontaminimi i ushqimeve mund të vijë nga duart e papastra, ushqimet, uji, kafshët shtëpiake, insektet etj.
“Helmimet shkaktohen nga konsumimi i ushqimeve të kontaminuara me: Baktere, viruse apo parazitë, kimikate të dëmshme, prania në ushqim e mbetjeve si kocka, metale apo fije floku, mungesë higjiene gjatë përgatitjes apo ruajtjes së ushqimit”, thuhet në apel.
Tutje thuhet se për të gjitha helmimet ushqimore karakteristikë është paraqitja e shpejtë e simptomave: temperatura, dhimbje barku, të vjella dhe barkqitje.
IKSHPK-ja ka rekomanduar që të gatuani mirë ushqimin, posaçërisht mishin, vezët dhe qumështin – të gjitha pjesët duhet të arrijnë temperaturën 70°C.
“Konsumoni ushqimin menjëherë pas përgatitjes: Sa më gjatë të qëndrojë, aq më i madh është rreziku i kontaminimit. Ushqimet për fëmijët nuk duhet të ruhen në përgjithësi, duhet të konsumohen sa më parë pas përgatitjes. Ruajeni ushqimin në mënyrë të sigurt: Në të nxehtë mbi 60°C, në frigorifer nën 5°C. Mishi i ngrirë dhe mishi i shpendëve duhet të shkrihen tërësisht përpara gatimit. Ringroheni mirë ushqimin e ruajtur: Para konsumit, sigurohuni që ushqimi të arrijë përsëri 70°C. Shmangni kontaktin mes ushqimit të papërpunuar dhe atij të gatuar: Përdorni thika dhe dërrasa të ndara për secilin”, janë rekomandimet e tjera të IKSHPK-së.
Rekomandohet që t’i lani duart shpesh dhe si duhet. “Para dhe pas përgatitjes së ushqimit, pas tualetit, pas ndërrimit/pastrimit të foshnjave apo pas kontaktit me kafshë. Mbani pastër kuzhinën dhe enët: Pecetat dhe leckat ndërroni rregullisht dhe ziejini nëse kontaminohen”, thuhet në apel.
Gjithashtu rekomandohet që ta mbroni ushqimin nga insektet dhe brejtësit. “Mbajeni ushqimin në enë të mbyllura me kapak”.
“Përdorni ujë të pastër dhe të sigurt: Nëse dyshoni në cilësinë e ujit, vlojeni para përdorimit. Kontrolloni datat e skadimit dhe freskinë: Shmangni produktet me erë apo pamje të pazakontë. Kujdes me ushqimin jashtë shtëpisë: Përdorni frigoriferë dore ose enë termoizoluese në piknik apo udhëtime”, thuhet në apel.