Telekomi i Kosovës ka parashtruar të martën kërkesë te Prokurori i Shtetit që të merret menjëherë masë urgjente për ngrirjen e mjeteve në llogaritë e “Dardafon.net” në vlerë mbi 30 milionë euro dhe ato t’i kthehen Telekomit, deri në një vendim përfundimtar të gjykatave të Kosovës.
Në një komunikatë të Telekomit thuhet se nëse paratë nuk figurojnë në llogaritë e “Dardafon.net” atëherë ato të gjurmohen dhe të bëhet edhe ngrirja e llogarive ku janë transferuar ato.
“Duke qenë se ekziston rreziku real që Dardafon.net LLC mund t’i tjetërsojë të gjitha këto mjete jashtë Republikës së Kosovës e që do të vështirësonte gjurmimin dhe kthimin e tyre në rast të një vendimi të drejtë të gjykatës, Telekomi i Kosovës sh.a. ka kërkuar asistencën e Prokurorit të Shtetit në ndërmarrjen e veprimeve urgjente, që mundësojnë sigurimin e mjeteve financiare deri në vendosjen përfundimtare të drejtë dhe të ligjshme nga gjykatat e Kosovës”, thuhet nga Telekomi.
Telekomi ka thënë se kjo është vetëm një nga masat që i ka ndërmarrë dhe do të vazhdojë t’i ndërmarrë edhe mëtutje.
“Telekomi i Kosovës sh.a., synon të rikthehet fuqishëm në shërbim të konsumatorëve të vet dhe të qytetarëve të Kosovës, me një kulturë të re dhe me një përkushtim të lartë ndaj punës. Një sistem i drejtësisë efektiv, dinamik dhe i paanshëm është i domosdoshëm për të mbrojtur bizneset dhe qytetarët nga veprimet e paligjshme, ndërkaq Telekomi i Kosovës sh.a. do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për të rikthyer mjetet që i janë marrë jashtëligjshëm nga arka e shtetit apo nga fondet e dedikuara për investime strategjike, duke i kthyer ato në infrastrukturë dhe shërbime më të mira për konsumatorët dhe qytetarët”, thuhet nga Telekomi.
-
Telekomi: Gjykata Komerciale urdhëroi kthimin e 4.4 milionë eurove që i mori përmbaruesi privat
-
Telekomi kërkon zhbllokimin e llogarive dhe shkarkimin e përmbaruesit
-
Telekomit i bllokohen llogaritë
-
“Dardafon” kërkon kompensimin e 5.7 milionë eurove, Telekomi mohon që e ka këtë obligim
-
Telekomi: Me ndihmën e Komerciales po na grabiten edhe 5.7 milionë euro