Drejtoria e Mirëqenies Sociale e Komunës së Prishtinës në një njoftim në Facebook të martën ka thënë se nuk ka mundur t’i procedojë ndihmat financiare për familjet në nevojë që kryeqytet. Kjo drejtori ka akuzuar nivelin qendror për bllokim të buxhetit. E një ditë më parë, pretendimin e komunës e kundërshtoi Ministria e Financave.
“Drejtoria e Mirëqenies Sociale e Komunës së Prishtinës ju njofton se, në përputhje me mandatin tonë ligjor dhe angazhimin institucional të përhershëm, kemi përgatitur me kohë të gjitha procedurat dhe programet për mbështetje sociale për këtë vit, duke përfshirë ndihmat financiare, mbështetjen për strehim, shujtat për fëmijët në nevojë, subvencionet për familjet me të ardhura të ulëta, si dhe projektet për integrimin e personave me aftësi të kufizuara. Megjithatë, me keqardhje thellë ju informojmë se këto mbështetje nuk kanë mundur të procedohen për shkak të bllokimit të buxhetit të Komunës së Prishtinës nga niveli qendror. Kjo ndërhyrje e paprecedent dhe krejtësisht e pajustifikueshme po e dëmton rëndë funksionimin normal të shërbimeve sociale dhe po i lë pa përkrahje ata që kanë më së shumti nevojë për mbështetje institucionale”, thuhet në shkrimin e Drejtorisë së Mirëqenies Sociale në Prishtinë.
Tek e ka fajësuar nivelin qendror, kjo drejtori ka thënë se familjet në nevojë “po bëhen viktimë e bllokadave politike dhe të vendimeve që nuk reflektojnë as përgjegjësi institucionale, as ndjeshmëri sociale”.
Një ditë më parë, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, akuzoi Qeverinë se i ka bllokuar buxhetin, teksa e cilësoi këtë si veprim të motivuar politikisht. E ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, e cilësoi gënjeshtër akuzën e Ramës. Ai ka thënë se Komuna nuk e ka miratuar buxhetin me kohë e se tash duhet ndryshim i Ligjit për Buxhetin, për çka akuzoi opozitën për bllokim të Kuvendit.