Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Të verbrit me mungesa elementare në infrastrukturë e arsimim

Jusuf Fazliu deklaroi se personat me aftësi të kufizuara në Kosovë, përballen me vështirësi të shumta në shoqëri, e një prej tyre është infrastruktura e dobët. Ai deklaroi të hënën në emisionin “SOT” në KTV, se problematike për të dhe të tjerët me shikim të dobësuar, është edhe mungesa e teksteve universitare në alfabetin Braj.

“Qëllimi kryesor është që personat me aftësi të kufizuara të mos mbesin të bllokuar, por të dalin ta shijojnë jetën. Ka shumë sfida, mungojnë kushtet infrastrukturore. Deri më sot janë bërë pak punë në këtë drejtim. Vështirësi ka edhe në universitet. Një përqindje shumë e vogël shkollohen, pastaj ka probleme edhe për literaturë adekuate. Asnjë libër universitar nuk është në alfabet Brait. Këta persona pas shkollës së mesme, duhet të qëndrojnë në shtëpi”, deklaroi Fazliu.

Problemet i evidentoi edhe Përparim Lubishtani, duke deklaruar se infrastruktura rrugore për të verbrit nuk është e duhura.

“Problemet vazhdojnë sepse mungon infrastruktura për personat me nevoja të kufizuara. Ka mungesë trotuaresh për persona të verbër, por momentalisht secili është i obliguar ta ketë shoqëruesin. Ata që nuk kanë familjarë apo nuk kanë mundësi të kenë shoqërues, janë më të izoluar sepse një pjesë kanë vullnet të ndihmojnë, por s’kanë njohuri”, shtoi ai.

Fazliu e Lubishtani, morën pjesë para pak ditësj në ngjitje me klubin alpin “Prishtina”, derisa deklaruan se ishte eksperiencë e mirë.

“Ka qenë eksperiencë e mirë, në fillim kemi menduar se ka qenë e komplikuar, por me stafin na kanë shpjeguar dhe na kanë siguruar me litar. E kemi bërë pa problem ngjitjen dhe zbritjen”, shtoi Lubishtani.

Për Fazliun, eksperienca ishte e mirë, ndonëse në fillim tha se nuk ka besuar se do t’a dalë.

“Ia kam dalë shumë mirë”, tha ai.

Kristjan Gashi nga klubi alpin, deklaroi se aktiviteti ka shkuar mirë dhe siguria për pjesëmarrësit ka qenë në nivel.

“Rreth 20-25 kanë marrë pjesë. Pjesa e sigurisë është e rëndësishme dhe e para që e bëjmë. I testojnë disa persona pajisjet. Pos sigurisë lart, është edhe litari poshtë. Ua shpjegojmë edhe pjesëmarrësve procesin. Një pjesë e madhe kur vijnë aty e kanë problem fobinë, por nuk është e rrezikshme”, deklaroi ai.

Gashi shtoi se ideja ishte një gjithëpërfshirje mes të gjithë personave, e motivi sipas tij ishte i madh.

Artikuj të ngjashëm