Ndër të drejtat fundamentale të njeriut nuk respektohet në Kosovë, te personat me aftësi të kufizuara. Pamundësia e qasjes në objektet institucionale, rrugë, shkollë, trotuare e madje edhe në informacion, është një nga sfidat më të rënda me të cilat përballet kjo pjesë e shoqërisë. E përpos moszbatimit të ligjislacionit, për të cilin nga Handikosi thonë se nuk është i mjaftueshëm, personat me aftësi të kufizuara në Kosovë përballen edhe me dhunë. Institucionet, si në vazhdimësi, janë zotuar për mbështetje e thonë se janë afër përfundimit të disa rregulloreve
Maliqi: Kosova e ka vetëm 30 për qind të legjislacionit të nevojshëm për personat me aftësi të kufizuara

Afrim Maliqi, drejtor i Handikosit, ka thënë se Kosova ka vetëm 30 për qind të legjislacionit të nevojshëm për personat me aftësi të kufizuara. Duke folur në një debat në “Konfront” të KTV-së, Maliqi ka dhënë një shembull se sa e shtrenjtë i bëhet jeta për shkak se shteti ia pamundëson qasjen.
“Qasja apo qasshmëria është ndër të drejtat fundamentale të njeriut. Po flas në këtë rast për të drejtat e njeriut. Jo vetëm në autobus, por as në objektet institucionale, rrugë, shkollë, trotuare. Disa komuna kanë bërë përpjekje, si ajo në Prishtinë, me autobusë, por çështja kryesore është si të vihet tek autobusi. Janë vetëm disa autobusë urbanë. Nëse dua të shkoj në Prizren, unë s’mund ta përdor autobusin. Mund ta përdorni ju me 4-5 euro, e unë më duhet me 20 e kusur euro sepse s’mundem kurrfarë autobusi, pos automjetit personal apo dikujt tjetër. Kjo tregon sa është kosto”, ka thënë ai.
Duke folur për një raport të para tre vjetëve, ai ka thënë se është konkluduar se Kosova e ka vetëm 30 për qind të legjislacionit të nevojshëm, në raport me Konventën e Kombeve të Bashkuara.
“Të gjithë deputetët, pushtet e opozitë e pranojnë se është situatë e vështirë, por thonë se ka ligje të mira, e se ato megjithatë nuk zbatohen. Por ky raport e demanton se Kosova nuk ka të mjaftueshme ligje. Duhet të shtrihet në të gjitha çështjet”, ka thënë ai.
Ai është ankuar se edhe pse është shpallur 2022-shi, Vit i Personave me aftësi të kufizuara, nuk ka pasur përmbushje të të gjitha aktivitetet e zotuara.
Tishuku: Të verbrit me mungesë qasjeje në informacion

Daut Tishuku nga Shoqata e të verbërve të Kosovës ka thënë se sfida kryesore për këtë grup të shoqërisë është pamundësia e qasjes në informacion.
“Sfidat janë gjithëpërfshirëse, qasja nënkupton qasjen fizike, por edhe në informacion. Pikërisht për grupin që përfaqësoj, qasja në informacion është sfida më e madhe që të verbrit s’mund të integrohen në shoqëri. Pastaj krahas qasjes janë edhe sigurimi i pajisjeve të ndryshme që e ndihmojnë personin me aftësi të kufizuara të integrohen në shoqëri”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se në vend ka bazë ligjore që nuk gjen zbatueshmëri, dhe ka bërë thirrje për inkorporim të Konventës për personat me aftës të kufizuara në Kushtetutë të Kosovës. Sipas tij, problemi i tyre mund të zgjidhet me këtë inkorporim.
Tishuku ka deklaruar se për arsimin parauniversitar është bërë zgjidhje përmes teksteve në shkrimin Brail, por jo edhe në arsimin universitar.
Gashi: Moszbatimi i ligjeve, problemi kryesor për personat me aftësi të kufizuara

Suzana Gashi, drejtoreshë e departamentit kundër diskrimiminit tek zyra e Avokatit të Popullit, ka thënë se problemi kryesor me të cilin përballen personat me aftësi të kufizuara është moszbatimi i ligjeve. Ajo ka bërë të ditur se gjatë vitit Avokati i Popullit “pranon mjaft ankesa”.
“Padyshim që diskriminim më i madh që u bëhet personave me aftësi të kufizuara është qasshmëria, mungesa e përshtatjes brenda logjikës së një personi me aftësi të kufizuara kur del në rrugë, për të pasur qasje në objekte, shkolla, por edhe informacion. Llojet e ankesave që pranojmë. Kemi moszbatimin e ligjit për aftësim dhe riaftësim profesional dhe punësim të personave me aftësi të kufizuara, pastaj rastet e dhunës, mospunësimin, mungesa e qasjes në infrastrukturë...”, ka thënë ajo.
Gashi ka thënë se Kosova ka nevojë për avancim të ligjeve e për përfshirje më të gjerë sepse “secili grup i ka specifikat e veta”.
Dobruna: Rregullorja për personat e verbër afër përfundimit

Agon Dobruna, zëvendësministër i Financave, ka thënë se shteti është duke punuar në Ligjin për trajtim gjithëpërfshirës si dhe në disa rregullore që “do t’u sjellin benefite” grupeve me aftësi të kufizuara.
Ai ka thënë se shteti ka ofruar përmes “një sërë masash” këtë grup. Dobruna ka thënë se ligji në fjalë do të ketë kosto të konsiderueshme, por se shteti duhet të punojë në të.
Dobruna ka paralajmëruar se shteti është afër finalizimit të rregullores për personat e verbër si dhe për atë për të gjithë persona me aftësi të kufizuara. Sipas tij, ndër pikat në këtë rregullore do të jetë ajo që “personat me aftësi të kufizuara të konkurrojnë mes vete për vende pune”.
Dobruna ka thënë se do të ketë shtim të inspektorëve që të bëhen kontrolle më të shpeshta për kompanitë e mëdha që të kenë të paktën çdo të 50-in punëtor me aftësi të kufizuara.
Morina: Inkorporimi i Konventës, hap i duhur

Eksperti i çështjeve kushtetuese, Visar Morina, e ka cilësuar hap të duhur në kohë të duhur idenë për përfshirjen e Konventës për personat me aftësi të kufizuara në Kushtetutën e Kosovës.
Sipas tij, ky është opsioni i vetëm sepse Kosova ende s’është pjesë e OKB-së për ta ratifikuar. Ai ka thënë se Kosova tashmë ka praktikë të inkorporimit të akteve të tilla.
Morina ka thënë se Kosova ka nevojë për legjislacione që zbatohen e jo “legjislacione dekore”.
Rolin e gjyqësorit e ka cilësuar jetik që të zgjidhen çështjet e rasteve të personave me aftësi të kufizuara. Ai ka thënë se vendi ka nevojë për proaktivitet.
Ky emision është mundësuar nga Misioni i UNMIK-ut në Kosovë