Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Të shtunën mbahet provimi i maturës në Kosovë

Të shtunën, më 24 qershor, do të mbahet Provimi i Maturës Shtetërore, ka bërë të ditur Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI).

MASHTI ka bërë të ditur se janë bërë gjitha përgatitjet dhe se në çdo klasë do të lejohen maksimalisht 15 maturantë, e do të jetë vetëm një nxënës në bankë.

“Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit mbetet e përkushtuar për organizimin dhe zhvillimin e një procesi të mirëfilltë e të besueshëm, prandaj kërkon që çfarëdo parregullsi eventuale në qendrën e testimit, të raportohet me shkrim në DKA dhe në MAShTI. Ndërsa, ndaj të gjithë personave të angazhuar në proces, të cilët nuk i realizojnë detyrat e caktuara me kompetencë dhe profesionalizëm të lartë, do të kërkohet përgjegjësi. Bazuar në Ligjin për Provimin e Maturës Shtetërore dhe Udhëzuesin e dërguar në shkolla, ndalohet rreptësishtë mbajtja e telefonit brenda qendrave të testimit. Kujtdo që i zihet telefoni do të përjashtohet nga mbajtja e provimit”, thuhet në njoftimin e MASHTI-t.

MASHTI ka bërë të ditur se testi do të organizohet në 178 qendra të testimit.

“Këtë vit, në sallën e testimit (klasat) përveç administruesve do të jetë edhe një mbikëqyrës (student absolvent ose të nivelit master). Për të mos ndikuar në proces dhe sipas rregullave të administrimit të testit, pas orës 10:00 (koha kur fillon testi) nuk lejohet asnjë person tjetër brenda qendrave të testimit përveç personave përgjegjës për mbarëvajtje të testit. Prandaj, mediet mund të marrin pamje në çdo qendër vetëm para fillimit të Testit të Maturës”, ka njoftuar MASHTI.

Rezultatet e Provimit të Maturës Shtetërore pritet të shpallen më 3 korrik.

Artikuj të ngjashëm