Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Të premten nis moti vjeshtor

Besim Aliu nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se nga e premtja pritet të nisin temperaturat vjeshtore.

Sipas Aliut, nesër pritet të ketë reshje të shiut vende-vende, ndërsa të shtunën e të dielën do të ketë shi në të gjithë vendin.

“Ditën e nesërme parashihet të ketë zhvillim të vranësirave, ku vende-vende do të ketë reshje shiu. Dita e shtunë do të ketë reshje pothuajse në të gjithë territorin, që do të vazhdojë edhe të dielën, ku do të ketë rënie të fushës termike. Temperaturat maksimale të dielën pritet të jenë 16-17 gradë Celsius”, ka thënë ai në “SOT” të KTV-së.

Aliu theksoi se nuk parashihet të ketë më temperatura 29 gradë Celsius.

“Parametrat meteorologjik tregojnë se java tjetër do të jetë me temperatura tipike vjeshtore”, shtoi ai.

Aliu ka thënë se ky vit mund të konsiderohet si vit i nxehtë pasi ka pasur shumë ditë me temperatura mbi 30 gradë Celsius.