BSPK-ja dhe Sindikata e Punëtorëve e Sektorit Privat kanë dhënë mendime të ndryshme lidhur me pagën minimale. Edhe pse Këshilli Ekonomiko-social kishte propozuar që paga minimale të jetë rreth 350 euro, me këtë nuk po pajtohet Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat, e cila thotë se nuk pranon pagë më të ulët se 400 euro. Edhe ekonomisti Mustafë Kadriaj thotë se në këto rrethana paga më e pranueshme do të jetë ajo prej 400 eurosh.
Dy sindikatat, ajo e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës dhe Sindikata e Punëtorëve e Sektorit Privat kanë dalë më qëndrime të ndryshme rreth propozimeve për rritjen e pagës minimale.
Derisa e para propozon që paga minimale të jetë 350 euro, kjo e dyta thotë se nuk pranon pagë më të ulët se 400 euro.
Këto dallime të sindikatave janë të pakuptimta për profesorin e ekonomisë, Mustafë Kadriaj.
Ai ka shprehur dyshime se sindikatat nuk po i mbrojnë interesat e punëtorëve.
“Së pari është e habitshme që në vend që sindikatat të jenë një zë i fuqishëm i punëtorëve dhe në fakt të kemi iniciativë se cila duhet të jetë më e fuqishme në mbrojtjen e punëtorëve dhe jo cila të ketë iniciativa për pagë më të ulët. Në këtë drejtim unë vlerësoj që sindikata, ndoshta ndonjë sindikatë ia mban thjesht anën Qeverisë dhe kjo nuk është duke luajtur rolin për atë që është e thirrur”, ka thënë ai.
Edhe
BSPK-ja kërkon “formulë tjetër” për pagën minimale, s’pranon nën 300 euro
Këshilli Ekonomiko-social në fund të këtij muaji do ta dorëzojë në Qeveri raportin final për pagën minimale. Ai ka propozuar që paga të rritet gjatë këtij viti dhe të jetë në vlerë rreth 250-350 euro.
Ndërkohë, sindikatat kanë dhënë qëndrime të ndryshme rreth kësaj.
Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli, ka thënë se paga prej 350 eurosh do të jetë një lehtësim për punëtorët.
“Në raport me çdo gjë që lidhet me jetën e punonjësve të Kosovës, për këtë arsye çdo diskutim që do të jetë për pagën minimale nën 350 euro ne si BSPK e vlerësojmë që është e vogël. Nuk kanë mbrojtje në punë, nuk kanë pagën, paga minimale është ajo që ata i atakon shumë dhe ka shumë probleme të tjera të cilat ndoshta me këtë pagë minimale nëse mund ta votojmë në Këshillin ekonomiko-social, do të jetë një lehtësim pak më i madh për punëtorin e Kosovës”, ka thënë Hykolli.
Derisa një gjë të tillë Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat e ka quajtur joserioze, duke deklaruar se nuk njohin pagë nën 400 euro.
Edhe
Sindikatat nuk pajtohen rreth pagës minimale, njëra kërkon 400 euro e tjetra 350
“Ne si sindikatë e sektorit privat të Kosovës nuk e njohim këtë Këshill Ekonomiko-social, gjegjësisht përbërjen nga BSP-ja, pasi që atje janë njerëz joseriozë, njerëz të cilët nuk kanë të bëjnë me pagën minimale. Janë njerëz të cilët më së pakti kanë të bëjnë me këtë pagë dhe ne e kemi thënë fjalën tonë, çdo pagë, çdo këshill, kushdo qoftë që nënshkruan pagë minimale nën 400 euro në Kosovë, le t’u mbetet atyre ta vlerësojnë, përndryshe Sindikata e Sektorit Privat të Kosovës nuk njeh asnjë pagë minimale nën pagën 400 euro”, ka thënë Jusuf Azemi nga Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat në Kosovë.
Paga minimale në Kosovë është 130 euro për punëtorët deri në moshën 35-vjeçare, ndërsa mbi këtë moshë është 170 euro.
Ndërsa deri tash ka pasur shumë përpjekje për ngritjen e saj, por të gjitha iniciativat kanë dështuar.