Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese në Kosovë (BIRN), në bashkëpunim me Ambasadën e Mbretërisë së Holandës dhe Avokatin e Popullit, kanë ndarë tri çmime për storjet më të mira në fushën e të drejtave të njeriut.
Çmimin e parë për dokumentarin “Qielli po hapet” e fituan Venera Çoçaj dhe Matko Bulent nga Kosovo 2.0. Dokumentari i tyre trajton njërën prej temave më të padiskutuara në vend për njërin prej grupeve më të margjinalizuara, atë të komunitetit LGBT.
Për dokumentarin “Të jesh Plak” çmimin e dytë i fitoi Ardiana Thaçi-Mehmeti nga KOHA.net. Dokumentari i saj trajton të drejtat e të moshuarve brenda familjes dhe brenda qendrave të të moshuarve.
Ndërsa, çmimi i tretë u takoi dy gazetareve, Besa Kalaja nga Preporttr, me storien “Mos u plaksh”, hulumtim i cili trajton mungesën e trajtimit institucional për njërën prej kategorive më të diskriminuara në vend – njerëzve të moshuar dhe Kaltrina Rexhepi, nga RTK me dokumentarin “Fëmija Nënë”, i cili sjell një këndvështrim të patrajtuar dhe të lënë larg debatit publik, atë të martesave të hershme.