Kulturë

“Mirëdita, dobar dan!” mbyllet me thirrjet për komunikim e bashkëpunim

Për dallim prej edicioneve në Beograd ku Festivali pritej me protesta, thirrje për vrasjen e shqiptarëve e alarme bombash, në Prishtinë nuk pati incidente, madje kishte solidarizim me viktimat serbe të vrara si pasojë e një sulmi në një shkollë fillore. Për tri ditë u prezantua skena kulturore, artistike e shoqërore e Serbisë me shfaqje të filmave e të teatrit, promovime librash e koncerte. Programi u përmbyll me art skenik që thërret për të dhuruar dashuri.

Me programin kulturor të Kosovës e Serbisë dhe me publik nga dy shtetet është përmbyllur edicioni jubilar i “Mirëdita, dobar dan!”. Për dallim prej edicioneve në Beograd ku Festivali pritej me protesta, thirrje për vrasjen e shqiptarëve e alarme bombash, në Prishtinë nuk pati incidente, madje kishte solidarizim me viktimat serbe të vrara, si pasojë e një sulmi në një shkollë fillore. Për tri ditë u prezantua skena kulturore, artistike e shoqërore e Serbisë me shfaqje të filmave e të teatrit, promovime librash e koncerte. Programi u përmbyll me art skenik që thërret për të dhuruar dashuri.

Që në edicionin e parë në vitin 2014, Festivali e kishte bërë të qartë qëllimin e tij: shkëmbimi kulturor mes dy shteteve dhe krijimi i traditës së bashkëpunimit mes skenave artistike. Pjesëmarrës të dy etnive janë bërë bashkë edhe të shtunën në ambientet e teatrit “Oda” kur është mbyllur programi. Në ceremoninë përmbyllëse, organizatorët janë shprehur se kanë arritur pikësynimin e tyre.

Sofia Tudoroviq nga Nisma e të Drejtave të Njeriut në Serbi është shprehur falënderuese ndaj qytetarëve në Prishtinë dhe organizatorëve e vullnetarëve. Krejt të mbledhurve u është drejtuar shkurt me një mesazh. “Do ta shfrytëzoja rastin e mbylljes së Festivalit që të përdor fjalinë që u tha në panelin e fundit, që arti na ndihmon të tejkalojmë dallimet dhe sfidat”, është shprehur ajo.

E drejtori i organizatës “Integra” që ka bashkorganizuar Festivalin, Kushtrim Koliqi, e ka vlerësuar pjesëmarrjen e publikut serb kur, sipas tij, kanë ardhur në një moment jo fort të mirë për Serbinë.

“Prej fillimit kur e kemi themeluar Festivalin kemi insistuar të jetë tradicional përkundër faktit se në të njëjtën kohë kemi qenë të vetëdijshëm se shumë vështirë është të mbahet një traditë e tillë dhe për këtë fakt jam i lumtur që jubileun e kemi mbajtur në Prishtinë”, është shprehur Koliqi

“Mirdita, Dobar dan!” tashmë e ka traditë të ndajë çmimin për figurat që promovojnë vlerat e Festivalit. Regjisori Kushtrim Koliqi e ka ndarë Çmimin për drejtorin e Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Blakajn. Pasi ka pranuar Çmimin, Blakaj është shprehur se ai u takon krejt bashkëpunëtorëve të Festivalit ndër vite me të cilën kanë punuar në fushën e të drejtave të njeriut.

“Jam tepër i lumtur dhe sigurisht se i emocionuar ta marrë këtë Çmim nga organizatorët e Festivalit i cili Çmim është i jashtëzakonshëm për mua. Posaçërisht është me rëndësi duke pasur parasysh se viteve të kaluara e kanë marrë njerëz të jashtëzakonshëm që kanë lënë gjurmë në marrëdhëniet mes serbëve dhe shqiptarëve me punën e tyre”, ka thënë Blakaj para të pranishmëve të mbledhur.

Në kuadër të programit të edicionit të 10-të të “Mirëdita, dobar dan!”, është dhënë edhe shfaqja “Bimët po të ngordhnin, do bëhej nami”, me tekst dhe regji të Ivor Martiniq. Është dramë e dashurisë së një çifti që kanë vendosur t’i japin fund lidhjes së tyre, por barra e ndarjes rëndohet çdoherë më shumë.

“Kjo është një dramë për prishjen e një lidhjeje të gjatë dashurie. Kur njëri nga çifti nuk arrin të kujtojë ngjarjen më të rëndësishme në marrëdhënien e dashurisë për tjetrin, lind një krizë që aktivizon një sërë pyetjesh dhe dyshimesh ekzistenciale. Nëpërmjet takimeve të shumta, çifti tashmë ish-dashnor përpiqet të gjejë një të vërtetë të përbashkët, në mënyrë që të mund të ecin përpara. Drama flet për nevojën për të treguar një histori intime, nevojën për bashkim dhe komunikim”, ka shkruar regjisori Martiniq për shfaqjen.

Tre aktorët Mina Obradoviq, Marko Vasiljeviq, Nedim Neziroviq huazojnë biografitë e tyre dhe i ripërsërisin të ngjarjet dhe bisedat e njëjta si një lloj bumerangu. Ishte dhënë premierë më 13 shtator të vitit të kaluar në Beograd.

Interesimi i madh i publikut ka bërë që të shtohen nga dy rende të ulëseve në dy anët e skenës. Tre aktorët serbë i kanë pritur në skenë derisa kanë zënë vendet. Dhoma e ditës dhe kuzhina është improvizuar me disa orendi. Dy të rinjtë vendosin të ndahen, por brenga për bimët që kanë dhe kujdesi ndaj tyre i mban bashkë.

Kanë kaluar disa ditë e asgjë s’ka ndryshuar me jetën e protagonistëve. Ajo kthehet me arsyetime të kota. Ai nuk mund të kujtojë ngjarjen më të rëndësishme gjatë lidhjes së tyre romantike, e ajo kalon në krizën që nxit pyetje dhe dilema të ndryshme. Shfaqja vjen si e ndarë në disa histori dhe çdo version i saj është unik në vetvete.

Ajo ikën e kthehet bashkë me kujtimet që i kanë së bashku, por kot. Ikën e kthehet, nganjëherë e dehur. E historia e njëjtë vjen si retrospektivë me aktorin tjetër. Marko Vasiljeviq që ka luajtur rolin kryesor ka thënë se bëhet fjalë për dy versione të lidhjes brenda shfaqjes.

“Është rol interesant, sepse fillimisht kam luajtur me Minën dhe pastaj ka qenë si lidhje retrospektivë. Pastaj kam luajtur me Nedimin. Janë dy çifte, njëri është i zakonshëm e tjetri është ‘homo’. Kjo është shfaqje intime disi, ndan gjërat private me të tjerët”, ka shpjeguar aktori Vasiljeviq.

Sipas tij, mesazhi pas shfaqjes është se dashuria është gjithkund dhe se gjithçka sillet rreth saj. Aktori është shprehur se kushtet nuk ishin aq të përshtatshme, pasi shfaqjen e kishin luajtur në një apartament ku audienca hynte aty derisa “ngjarja” po ndodhte. “Audienca ishte aty dhe hynte në hapësirën tonë. Kur ulesh aty është ndjenjë më ndryshe sesa kur je në skenë. Për mua personalisht ka qenë shumë e vështirë të luaj kështu, pasi që nuk është hapësira jonë. Jemi munduar të bëjmë diçka me këtë që kishin, kuzhinë e dhomë e improvizuar. Mendoj se kjo shfaqje duhet të luhet çdoherë në një apartament”, është shprehur Vasiljeviq derisa ka treguar se për të ka qenë hera e parë në Prishtinë. Njëjtë ka qenë edhe për aktorin tjetër Nedim Neziroviq.

“Publiku ishte dëgjues i kujdesshëm, na dhanë shumë dashuri dhe ishte kënaqësi të luaj para tyre. Jam ndier shumë rehat. Kam dëgjuar për Festivalin vite më parë, vetëm e kam shikuar programin por nuk kam qenë kurrë fizikisht si publik apo si performues. Ka qenë hera e parë të marrë pjesë dhe organizimi ka qenë shumë i mirë, gjithçka ka shkuar mirë”, ka thënë Neziroviq.

Aktorja Mina Obradoviq ka marrë pjesë në edicionin që ishte organizuar në Prishtinë dy vjet më parë. “Ishte ndryshe, sepse shfaqjen e kemi luajtur në Beograd në një apartament, ka qenë vend autentik për tekstin. Këtu ka qenë ndryshe sepse ishte skena, pati më shumë publik dhe atmosfera ishte disi ndryshe. Më pëlqeu”, ka thënë ajo. Pas shfaqjes është organizuar ndeja përmbyllëse me DJ Flip nga Beogradi.

Edicioni i sivjetmë i festivalit “Mirëdita, dobar dan”, u hap më 4 maj me shfaqjen e filmit “Si mësova të fluturoj” nga regjisori serb Radivoje Andriç që shpaloste historinë njerëzore për rritjen, kuptimin dhe faljen. Publiku pati mundësinë ta dëgjojë grupin e vajzave rome “Pretty Loud”. Poetët Mirjana Narandziq dhe Gjorgje Simiq folën për veprat dhe përmbledhjet e tyre poetike dhe i lexuan ato në ngjarjen “Stolpersteine”.

Në kuadër të programit janë diskutuar tema të rëndësishme për Kosovën dhe Serbinë përmes promovimit të librit “Sërbia tjetër: Srgja Popovic” nga Shkëlzen Gashi e debateve me temë “Trashëgimia tjetër” dhe “Liria e lëvizjes në rajon: tani është koha”. Gjithashtu u promovua libri “Momenti kur filloi lufta për mua” në ditën e fundit të “Mirdita, Dobar dan!”.