Arbëri

Të hënën fillon mësimi në shumicën e shkollave në Kosovë

Të gjitha shkollat do të hapen të hënën në Kosovë, me përjashtim të një numri të vogël që janë vonuar me përgatitje infrastrukturore. Kështu ka bërë të ditur ministri i Arsimit, Ramë Likaj, në një konferencë të përbashkët me ministrin e Shëndetësisë, drejtorin e IKSHP-së, kryetarin e Sindikatës së Arsimit e përfaqësues të Këshillit të Prindërve.

Likaj ka deklaruar se janë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e vitit shkollor. Ai tha se të shtunën dhe të dielën MASH-i ua ka shpërndarë shkollave gjysmë milioni maska teksa ka thënë se përdorimi i tyre është obligim.

E ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka kërkuar bashkëpunim prindër-nxënës-mësimdhënës e institucione për ta menaxhuar sa më mirë situatën me Covid-19.

Ndërkaq, drejtori i IKSHP-së, Naser Ramadani është zotuar se çdo rast që paraqitet në shkolla do të trajtohet me prioritet nga Instituti.

Në këtë konferencë kanë qenë prezentë edhe kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, e nënkryetarja e Këshillit të Prindërve, Hadije Zuqaku, të cilët kanë uruar nxënësit për fillimin e vitit shkollor.

Nxënësit e mësimdhënësit i ka uruar edhe presidenti Hashim Thaçi, i cili përmes një postimi në Facebook ka kërkuar që t’i respektojnë masat dhe të ruajnë shëndetin.

Sipas vendimit që e kanë marrë MASH-i dhe komunat, mësimi do të nisë në dy faza. Më 14 shtator fillojnë mësimin klasat 0 deri në 6 dhe klasa e 10-të. Për klasat 4 dhe 5 u është lënë drejtorive komunale të vendosin se në çfarë forme do ta zhvillojnë mësimin, në shkolla apo nga distanca.

Kurse faza e dytë e mësimit do të nisë më 21 shtator. Në këtë fazë përfshihen klasat 7,8 e 9 të arsimit të mesëm të ulët dhe klasat 11 e 12 të arsimit të mesëm të lartë.