Komisioni recensues ka rrëzuar pretendimet e Nazmie Ibishi Musliut, se i është bërë e padrejtë në konkursin e hapur për profesor të Neuropsikiatrisë.
Isuf Dedushaj, kryetar i Komisionit recensues ka shpjeguar se konkursi ka qenë për avancim, e jo për pozitë të re, pasi, sipas tij, për shkak të rrethanave në rektorat një numër i madh i profesorëve nuk kanë pasur mundësi të avancohen ose të rizgjidhen në pozitën e njëjtë.
Por Nazmie Ibishi sërish ka insistuar se ajo ka të drejtë të ankohet, sepse konkursi ka qenë publik.
Dekanja e Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Manxhuka Kërliu, ankesën e kandidates Ibishi Musliu, vetëm e ka dërguar në rektorat.
Një ditë më parë KTV-ja raportoi se Nazmie Ibishi Musliu pretendon se padrejtë është diskualifikuar nga gara për mësimdhënës të Neuropsikiatrisë, pavarësisht kualifikimeve të duhura.