Në Bruksel mbahet sot takimi mes presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me lehtësim të Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherini. Më poshtë mund të gjeni të gjitha zhvillimet e sotme nga takimet në Bruksel:
13:34 -Thaçi e Vuçiqi brenda dy javësh sërish në Brukel

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizim të marrëdhënieve mes dy shteteve, brenda dy javësh.
Edhe pse ishte paraparë një takim i tyre sot, me lehtësim të Bashkimit Evropian, Serbia anuloi takimin trepalësh duke u takuar vetëm me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Federica Mogherini. Takim me Mogherinin pati edhe Thaçi.
Pas takimeve të ndara, Mogherini njoftoi zyrtarisht se do t’i mbledhë liderët në një takim të ri para Javës së Takimeve të Ministrave të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. E, kjo asamble nis më 18 shtator.
13:15 - Mogherini thekson vështirësitë në dialog
Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka thënë se vështirësitë mbesin në dialogun për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Pas takimeve të ndara me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Mogherini ka thënë se “beson në vendosmërinë e dy presidentëve për të vazhduar procesin dhe për të arritur në muajt e fundit një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve, në përputhje me ligjin ndërkombëtar”.
“Kam mbajtur disa runde bisedimesh me të dyja palët për të gjitha çështjet në tavolinë. Vështirësitë mbesin”, ka thënë ajo.
Ajo nuk ka folur për anulimin e takimit trepalësh nga ana e Serbisë.
Mogherini ka thënë po ashtu se do t’i mbledhë liderët në takimin e ardhshëm të dialogut para javës së Ministrave të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuar, për “të avancuar me punën në arritjen e marrëveshjes”.
13:12 - Thaçi: Vuçiqit i lejohet ardhja në Kosovë, por nuk i lejohet cenimi i shtetit
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se institucionet kanë aprovuar lejen për vizitën e Aleksandar Vuçiqit në veri të Kosovës, por nuk do të lejohet që të cenohet shtetësia e Kosovës gjatë kësaj vizite.
“Kosova ka institucionet e veta, jemi vend i pavarur, do të respektohet në përpikëri itinerari i lejuar i presidentit të Serbisë në Kosovë. Ne do të respektojmë gjithsecilin, por nuk do të lejojmë cenimin e shtetit të Kosovës. Zyrtarët serbë kanë vizituar edhe më herët Kosovën me lejen e institucioneve, i kemi dhënë leje edhe gjatë vikendit. E shohim se është e nevojshme një komunikim i tillë për dërgimin e mesazheve të paqes shpresës dhe optimizmit”, ka thënë Thaçi që ka shtuar se me Vuçiqin janë pajtuar që të vazhdohet procesi për stabilitet dhe paqe në rajon.
“Është me rëndësi që unë dhe Vuçiqi pajtohemi që të vazhdojmë procesin për paqe dhe stabilitetit dhe fqinjësisë së mirë. Secili i ka rrugët e veta si të lëvizë përpara dhe unë e respektoj”, ka thënë veç të tjerash ai.
13:02 - Thaçi: Marrëveshja me Serbinë është e vështirë, por do të arrihet

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se në çdo takim me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq, po kuptohen vështirësitë për arritjen e një marrëveshje përfundimtare.
Ai ka thënë se mospajtimet mes tij the Vuçiqit po thellohen dhe dallimet e mëdha kanë nisur fazën e reflektimit të vazhdimit të mëtutjeshëm të dialogut.
“Gjërat po bëhen më të vështira pasi mospajtimet po thellohen dhe dallimet po shfaqen edhe pse sot diskutuam vetëm me [Federica] Mogherinin dhe ato dallime të mëdha kanë ndikuar që të jemi në fazën e reflektimit të vazhdimit të mëtutjeshëm. Vështirësitë janë të mëdha, dallimet janë të thella por rrugëtimi për stabilitet nuk ka alternativë tjetër. Është konflikt më shumë se një shekullor dhe nuk mund të zgjidhen brenda ditëve javëve dhe muajve, por njerëzit meritojnë paqe dhe gjeneratat e ardhshme meritojnë që të kenë të ardhme më të sigurt”, ka thënë Thaçi.
I pyetur se përse nuk është takuar me Vuçiqin, Thaçi ka thënë se në Bruksel sot kishte takim bilateral ndërsa më vonë do të mbahen edhe takimet trelaterale.
“Nuk vlerësoj që ka ndodhur bojkot [nga Vuçiqi], por në Bruksel takohemi në rrafshin bilateral, prandaj kjo ka ndodhur edhe tash, pastaj ndodhin takimet në rrafshin trelateral. Ne sot kemi dialoguar përmes Mogherinit që ka qenë edhe më herët procedurë dhe praktikë, kemi konstatuar se dallimet janë shumë të thella dhe jemi në pozicione shumë të largëta”, ka thënë Thaçi.
12:28 - Pacolli: Vuçiqi s’ka arsye të vizitojë Ujmanin

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka thënë se presidenti serb Aleksandar Vuçiq duhet të tregojë përse dëshiron ta vizitojë Ujmanin gjatë qëndrimit të tij të paraparë për fundjavë në Kosovë.
Pas takimit me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherinit, dhe njoftimit se Vuçiqi nuk pranon takim sot me palën kosovare, Pacolli nga Brukseli ka thënë se Vuçiqi është i mirëseardhur në Kosovë, por duhet të arsyetojë vizitën.
“Ai është i mirëseardhur në Kosovë. Çdo herë kur do mund të vijë në Kosovë. Nuk dua të paragjykoj asgjë, por nuk shoh arsye pse duhet të vizitohet në këtë fazë të dialogut të vizitohet Ujmani, kur e dimë se s’ka asnjë qendër urbanistike aty. Çdo vizitë duhet të ketë një arsye, një bazë. Kur të arsyetohet vizita e tij nuk do të jemi të ngurtë në këtë. Nuk kemi asgjë kundër vizitës së tij, por është një pikë që Vuçiqi përmendi së fundmi vizitën në liqenin artificial dhe nuk e dimë asnjë arsye përse të vizitohet kjo pjesë”, ka thënë Pacolli në Bruksel.
11:55 - Gjuriqi tregon shkaqet e anulimit të takimit Vuçiq – Thaqi, “iu kërcënua e bija”

I vetmi që folur për gazetarët në Bruksel, nga pala serbe, ka qenë shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.
Ai ka arsyetuar anulimin e takimit nga ana e Vuçiqit.
“Shkaku i të gjitha gënjeshtrave e mashtrimeve dhe qasjes së neveritshme që përfaqësuesit e Prishtinës e treguan ndaj serbëve këto ditë duke kërcënuar e ofenduar, duke kërcënuar edhe të bijën e presidentit tonë”, ka thënë Gjuriqi.
Shkaku i të gjitha këtyre, Vuçiqi nuk do të takohet me përfaqësuesit kosovarë në Bruksel dhe çështja është kur e si do të mund të vazhdojmë dialogun, ka thënë më tej ai.
“Ne do të donim edhe në të ardhmen të ruajmë paqen e normalitetin por kërcënimet, shantazhet dhe ofendimet, tentimet që Vuçiqit t’i ndalohet vizita në Gazivodë e veri, tentimi që presidentit të kërcënohet, të ofendohet gjithë populli, tentimi që të nënvlerësohen bisedimet, atëherë edhe mbrëmë Thaçi në televizione në Prishtinë tregonte se si po bisedohet për Medvegjen Bujanocin e Preshevën, territor më i madh se sa vet Kosova në jug të Serbisë... e vetmja çështje e territorit për të cilin diskutohet është Kosova vet, të tjerat nuk shërbejnë për asgjë. Ky proces tashmë u prish nga vullneti i keq i Prishtinës por nuk ka përgjigje as pse BE-ja që do të duhej të siguronte kushte për dialog, të mos ketë presion e kërcënime, nuk ka garantuar asgjë”, ka thënë Gjuriqi.
Kjo sipas tij ka bërë që të mos ketë as kushte minimale që të flitet këtu me përfaqësuesit e Kosovës.
Sa i përket vizitës së Vuçiqit në Kosovë, Gjuriq ka thënë se lidhur me këtë kanë vendosur që në këto rrethana nuk do të duhej të shkonte.
“Edhe mendimet tona janë të ndara. Deri sonte nuk do të dihet asgjë, e nëse vendosë të shkojë do të shkojë edhe në Gazivodë. Do të endet lirshëm në territorin e Kosovës”, ka thënë Gjuriqi.
Vuçiqi foli me Mogherinin duke e informuar për gjithçka që ndodhi këto ditë.
“Gënjeshtra, mashtrime gjithçka që bëri Prishtina dhe për këtë s’duam të takohemi me ata. Kërcënimet që dëgjuam nga presidenti i Kuvendit të krahinës është turp. Andaj s’duam të shohim askënd prej tyre dhe të jeni të sigurt që nëse Vucici vjen në Kosovë nuk do të arrestohet. Ne kemi mbaruar këtë takimin dhe presidenti nuk do të flasë deri sonte ndoshta. Për fillim duhet ata të ndalen të gënjejnë e më pas ne do të shohim nëse do të bisedojmë”, ka thënë ai.
11:26 - Vuçiqi s’do që ta takojë Thaçin sot në Bruksel, e vë në pikëpyetje vazhdimin e dialogut
Kreu i Serbisë, Aleksandar Vuçiq nuk do ta takojë sot kreun e Kosovës, Hashim Thaçi në Bruksel.
Kështu së paku bëjnë me dije mediat në Serbi, që po përcjellin vazhdimin e dialogut mes Kosovës e Serbisë në Bruksel.
Siç shkruan Tanjug, Vuçiqi jo vetëm se nuk do ta takojë sot Thaçin, por e vë në pikëpyetje edhe vazhdimin e dialogut mes Kosovës e Serbisë në Bruksel.
Mediat në Serbi dje gjatë ditës kanë raportuar se Vuçiqi po shqyrton mundësinë që të anulojë takimin me Thaçin në Bruksel, sikurse edhe vizitën e tij në Kosovë. Një tjetër lajm nga rts thoshte se Vuçiqi do të shkojë në Bruksel për ta takuar vetëm Mogherinin, por jo edhe presidentin Thaçi.
Shkak për këtë është bërë deklarata e autoriteteve në Kosovë se Vuçiq s’ka pse të vizitojë liqenin e Ujmanit, në vizitën e tij të paralajmëruar për 8 dhe 9 shtator.
10:35 - Vuçiq takohet me Mogherinin
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç është takuar në ndërtesën e Bashkimit Evropian në Bruksel, me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Federica Mogherini.
Pas këtij takimi, pritet të zhvillohet takimi tjetër mes presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe Vuçiqit, me lehtësim të Evropës.
09:57 - Thaçi pas takimit me Mogherinin: Do të jetë rrugëtim i vështirë, por i domosdoshëm

Kreu i shtetit, Hashim Thaçi, ka treguar se ka bashkë me zëvendëskryeministrin e parë, Behgjet Pacolli, sapo ka përfunduar takimin bilateral me përfaqësuesen e Lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Federica Mogherini.
“Kosova është e përkushtuar që të arrijë një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, e cila garanton njohjen reciproke, anëtarësimin në NATO, BE dhe OKB”, ka thënë Thaçi.
“Ky rrugëtim do të jetë i vështirë, por i domosdoshëm për sigurimin e paqes afatgjatë në Ballkanin Perëndimor dhe ka mbështetje të gjithanshme”, ka shtuar më tej ai.
09:37 - Thaçi takon Mogherinin

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, posa ka takuar shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.
Ndërkohë, në Bruksel ende nuk është parë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, raporton Kosovapress.
Mediat serbe thanë se Vuçiq ka mundësi ta anulojë takimin në Bruksel dhe vizitën në Kosovë, megjithatë, sot do të dihet e gjitha. Aty siç raporton ekipi i KosovaPress, nuk janë parë as mediat serbe.
Megjithatë, mediat në Serbi kanë raportuar se presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka mbërritur në Bruksel, ku, sipas informatave të Tanjugut, në orën 10:00, do të takohet me Përfaqësuesen e Lartë të BE, Federica Mogerini.
Sipas rendit të ditës, pas takimeve të ndara me Mogerinin, do të ndodhë takimi trepalësh, me pjesëmarrjen e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Mediat në Serbi dje gjatë ditës kanë raportuar se Vuçiqi po shqyrton mundësinë që të anulojë takimin me Thaçin në Bruksel, sikurse edhe vizitën e tij në Kosovë. Një tjetër lajm nga rts thoshte se Vuçiqi do të shkojë në Bruksel për ta takuar vetëm Mogherinin, por jo edhe presidentin Thaçi.
09:33 - Vuçiqi bindet për takim me Thaçin në Bruksel
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka mbërritur në Bruksel, ku, sipas informatave të Tanjugut, në orën 10:00, do të takohet me Përfaqësuesen e Lartë të BE, Federica Mogerini.
Sipas rendit të ditës, pas takimeve të ndara me Mogerinin, do të ndodhë takimi trepalësh, me pjesëmarrjen e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Mediat në Serbi dje gjatë ditës kanë raportuar se Vuçiqi po shqyrton mundësinë që të anulojë takimin me Thaçin në Bruksel, sikurse edhe vizitën e tij në Kosovë. Një tjetër lajm nga rts thoshte se Vuçiqi do të shkojë në Bruksel për ta takuar vetëm Mogherinin, por jo edhe presidentin Vuçiqin.
09:20 - Thaçi para takimit në Bruksel: Nuk ka as ndarje as zhvendosje të banorëve

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi para takimit në Bruksel me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq dhe përfaqësuesen e BE-së, Federica Mogherini, ka thënë se marrëveshja përfundimtare do të ndodhë me njohjen reciproke të dy vendeve dhe se nuk do të ketë as ndarje të Kosovës dhe zhvendosje të banorëve.
“Po hyjmë në një fazë të re të dialogut, për arritjen e marrëveshjes përfundimtare për paqe me Serbinë. Ky proces do të shënojë një progres për shtetin e Kosovës, për Serbinë dhe për stabilitetin në rajon”, ka thënë Thaçi para takimit.
“Jam i vetëdijshëm që do të kemi pengesa dhe vështirësi të mëdha, por shpresoj që ne do të arrijmë proces. Ky konflikt është i paqëndrueshëm, duhet të lëvizim përpara në të ardhmen euro-atlantike. Ky dialog ka shpirtin evropian, vlerat euro-atlantike dhe gjithashtu do të shpie në zhvillimin ekonomik”, ka shtuar ai.
Ai ka përsëritur qëndrimet se në Kosovë do të ruhet multietnia, derisa ka shtuar se kërcënimet për luftë dhe refugjatë janë absurde.
“Ky dialog ka kuptim vetëm atëherë kur do të ndodhë njohja reciproke dhe anëtarësimi i Kosovës në OKB dhe në organizata tjera ndërkombëtare. Çështjen e dialogut askush nuk mund ta ndërlidh me çështje tjera nëpër botë. Në Kosovë do të ruhet shpirti multi-etnik dhe gjitha kërcimet për luftë dhe për refugjatë janë absurde”, ka thënë Thaçi.
I pyetur nëse gjatë bisedimeve do të shtrojë kërkesën e Luginës së Preshevës për bashkim me Kosovën, Thaçi ka thënë se “Kosova është unike në favor të dialogut. Presidenti dhe parlamenti janë në favor të negociatave, janë në favor të demarkimit të kufirit të 430 kilometrave të Kosovës dhe Serbisë që nënkupton edhe përfshirjen Luginës”.