Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai serb, Aleksandër Vuçiq, do të duhej të takoheshin në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.
Por, pavarësisht agjendës së paraparë, Serbia anuloi takimin trepalësh, duke u takuar vetëm me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Federica Mogherini, raporton KTV.
Njëjtë bëri edhe presidenti Thaçi, i cili pas takimit me Mogherinin, theksoi se gjithnjë e më shumë ka vështirësi për të arritur marrëveshje. E në një prononcim tjetër për media në orët e pasdites, Thaçi theksoi se refuzon ndarjen, por duhet të ketë korrigjim të kufijve. Lidhur me takimin e radhës tha se e respekton vendimin e BE-së për këtë.
E, pas takimeve të ndara, Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, nëpërmjet një komunikate për media, njoftoi se vështirësitë mbesin në dialogun për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Ajo theksoi se megjithatë, beson në vendosmërinë e dy presidentëve për të vazhduar procesin dhe për të arritur marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve, në përputhje me ligjin ndërkombëtar.
Mogherini nuk foli për anulimin e takimit trepalësh nga presidenti serb, por theksoi se do t’i mbledhë liderët në takimin e ardhshëm të dialogut para javës së Ministrave të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuar, për “të avancuar me punën në arritjen e marrëveshjes”.
Në anën tjetër, më të përfunduar takimin me Mogherinin, president serb është kthyer në Beograd. Ai nuk foli për media nga Brukseli, por këtë e bëri Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Marko Gjuriq.
Ai konfirmoi se nuk pati takim ndërmjet Thaçit e Vuçiqit dhe fajësoi për këtë palën kosovare.
“Shkaku i të gjitha gënjeshtrave e mashtrimeve dhe qasjes së neveritshme që përfaqësuesit e Prishtinës treguan ndaj serbëve këto ditë, duke kërcënuar e ofenduar, duke kërcënuar edhe të bijën e presidentit tonë; shkaku i të gjitha këtyre, presidenti Vuçiq nuk do të takohet me përfaqësuesit kosovarë në Bruksel dhe çështja është kur e si do të mund ta vazhdojmë dialogun”, ka thënë Gjuriq.
Gjuriqi tha se nuk dihet kur do të vazhdojë dialogu.