Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, deklaroi se ka ftuar debat parlamentar për zhvillimet në politikën e jashtme. Ai tha të hënën (21 mars) në një paraqitje për media se në debat janë ftuar edh kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.
“Grupi jonë parlamentar edhe ditëve të fundit ka nxjerr një mori vërejtjesh sa i përket mosangazhimit të Qeverisë në politikën e jashtme. Dështimit, degradimit dhe besoj që është mirë që edhe Kurti e Gërvalla të vinë dhe të ballafaqohen me argumentet e deputetëve të opozitës”, tha Tahiri.
Sipas deputetit të PDK-së, Qeveria duhet të reflektojë mbi qeverisjen e jashtme, pasi siç tha ai, nuk ka pasur ndonjë angazhim.
“PDK-ja po ashtu do të prezantojë kërkesën për themelimin e një Komisioni hetimor sa i përket çështjes së ngritjes së energjisë elektrike. Ky proces besoj se është shoqëruar me shumë parregullsi”, tha tutje ai.
Ndërkohë, kryetarja e GP të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, tha pas mbledhjes së Kryesisë, se të enjten do të mbahet seancë e Kuvendit, që do të fillojë në orën 13:00. Ajo do të nisë me përkujtimin e fillimit të bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve serbe në vitin 1999 si dhe debati parlamentar i PDK-së për politikën e jashtme.