[11:52] Pas elaborimit të ankesave nga të akuzuarit, trupi gjykues e ka mbyllur seancën dhe ka njoftuar se do të njoftohen me shkrim për vendimin që do ta marrin, qoftë rreth procesit gjyqësor, qoftë rreth masës së paraburgimit.
Aktgjykimindo të nxirret në një afat të arsyeshëm, pasi lënda konsiderohet voluminoze.
Apeli kërkon dënime më të larta për aktivistët e Vetëvendosje
[11:26] Prokuroria e Apelit ka deklaruar se qëndron prapa ankesës së Prokurorisë Speciale dhe njësoj edhe ajo kërkon që të akuzuarve t’u shpallen dënime më të larta, si dhe të hedhen poshtë ankesat e të akuzuarve, të dorëzuara pranë kësaj gjykate, raporton Koha Ditore.
Në vazhdim do të elaborohen ankesat e të akuzuarve nga avokatët mbrojtës të tyre, por eventualisht edhe nga vetë të akuzuarit.
Avokati Gashi kërkon lirimin e të akuzuarve
[11:18] Avokati Tomë Gashi, i cili mbron deputetin e VV-së, Frashër Krasniqi, ka deklaruar se shkalla e dytë e ka rastin që të përmirësojë padrejtësinë që e ka bërë shkalla e parë dhe t’i lirojë të akuzuarit.
Po ashtu, ka kërkuar që t’u ndërpritet masa e paraburgimit, raporton Koha Ditore .
Ndërkaq, Frashër Krasniqi, ka deklaruar se çdo dëshmi e dëshmitari është e ndikuar nga policia sipas deklaratës së vetë dëshmitarëve. Ka thënë se gjithëçka ka qenë e planifikuar politikisht. Sipas tij, policia ka ndërhyrë në dëshminë e secilit dëshmitarë.
Të akuzuarit e VV-së: Procesi është montim politik
[11:13] Për seancën e Apelit, pos të akuzuarve, ankesë në shkallë të dyte ka bërë edhe Prokurori Speciale rreth aktgjykimit të shkallës së parë. Ka kërkuar dënime më të larta ndaj të akuzuarve.
Në anën tjetër, të akuzuarit e kanë kundërshtuar ankesën e prokurorisë, duke e konsideruar të pabazuar, raporton Koha Ditore.
Të akuzuarit, përmes ankesave të tyre kanë deklaruar se ky proces gjyqësor është i montuar politikisht. Se ky skenar është i përgatitur nga organet e pushtetit. Ata i kanë kërkuar Gjykatës së Apelit që ta hedh poshtë aktgjykimin e shkallës së parë, si dhe t’i shpall të pafajshëm. Kjo, për faktin se gjatë procesit gjyqësor të zhvilluar vitin e kaluar, nuk janë vërtetuar pretendimet e prokurorisë dhe se të gjitha provat e prezantuara, kanë qenë shfajësuese.
Pos kërkesës për hedhjen poshtë të aktgjykimit të shkallës së parë, të akuzuarit kanë kërkuar që në rast se nuk nxirret aktgjykim lirues, së paku të kthehet procesi në rigjykim.
Nis seanca e Apelit për aktivistët e VV-së
Ka filluar procesi gjyqësor ndaj katër aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, të akuzuar për terrorizëm pas sulmit me raketa hedhës në objektin e Kuvendit të Kosovës afro tri vjet më parë.
Në sallë janë katër të akuzuarit, të cilët janë sjell para gjykatës nga Qendra e Paraburgimit, raporton Koha Ditore.
Së shpejti pritet të fillojë shqyrtimi i ankesave rreth aktgjykimit te shkallës së parë.
Trupi gjykues ka marrë vendim që pas 10 minutash kamerat dhe fotoreporterët të largohen nga salla. Janë lejuar që të jenë të pranishëm vetëm gazetarët.