Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, sot me fillim nga ora 13:00, pritet të mbahet seanca fillestare kundër aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi, Atdhe Arifi, Egzon Haliti dhe Adea Batusha, të dyshuar për terrorizëm.
Prokurori i Prokurorisë Speciale ka ngritur aktakuzë për katër të lartpërmendurit për veprën penale “kryerja e veprës penale terroriste” bazuar në Kodin Penal të Kosovës. Ata dyshohen për sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës me mjet shpërthyes më 4 gusht të vitit të kaluar.
Avokati i Krasniqit, Tomë Gashi, ka thënë se ky është gjykim haptazi politik dhe të gjitha provat e siguruara nga Prokuroria e vërtetojnë pafajësinë e aktivistëve të VV-së.
“Ky është gjykim haptazi politik dhe të gjitha provat e siguruara nga Prokuroria e vërtetojnë pafajësinë e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendose. Kështu ka ndodhur edhe me rastin e akuzimit dhe gjykimit të aktivistit të Lëvizjes VV, z. Trim Gashit, kinse për sulm ndaj eskortës së Kryeministrit, ai është liruar i pafajshëm nga e njëjta Gjykata Themelore në Prishtinë, që e ka mbajtur në paraburgim për gjashtë muaj”, ka thënë mes tjerash Gashi.
Ai shtoi se “nëse kemi Gjykatë të pavarur, të drejtë dhe që punon në bazë të ligjit, të gjithë aktivistët duhet të lirohen të pafajshëm”, por “kush do të përgjigjet për vrasjen e Astrit Deharit, i cili u paraburgos për 78 ditë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren për këtë rast të inskenuar politik”.