Arbëri

Të afërmit e stafit akademik të pranuar në doktoratë do të vlerësohen nga komisione të jashtme

Kandidatët e pranuar në studimet e doktoratës në Universitetin e Prishtinës, që kanë lidhje familjare me stafin akademik, pritet të vlerësohen nga komisione të jashtme. Këtë rekomandim e ka dhënë Këshilli Qendror i Doktoratës i UP-së pak ditë pasi KOHA raportoi për shkeljet në këtë proces. Po ashtu, Këshilli i ka rekomanduar Senatit që të kërkohet opinion ligjor nga Zyra e Avokatit të Popullit dhe Agjencia Kundër Korrupsionit për ta sqaruar mënyrën e trajtimit të këtyre rasteve

Prishtinë, 23 dhjetor – Dymbëdhjetë ditë pas publikimit të listës së kandidatëve të pranuar në studimet e doktoratës, Këshilli Qendror i Doktoratës i Universitetit të Prishtinës ka rekomanduar që të përsëritet vlerësimi në Fakultetin Ekonomik dhe në Fakultetin e Mjekësisë. Kjo meqë, sipas Këshillit, në rastin e pranimit të fëmijëve të stafit akademik pati shkelje procedurale.

Rektorati i UP-së, në një përgjigje me shkrim, ka bërë të ditur se i ka rekomanduar Senatit që të formohen komisione të reja ku do të përfshihen përfaqësues ndërkombëtarë e të fushave përkatëse.

“Po ashtu, për shkak të dyshimeve të raportuara për dukurinë e nepotizmit në këto dy fakultete, Këshilli i ka rekomanduar Senatit të kërkojë nga Zyra ligjore e UP-së marrjen e opinionit ligjor nga Zyra e Avokatit të Popullit dhe Agjencia Kundër Korrupsionit me qëllim të sqarimit të mënyrës së trajtimit të këtyre rasteve. Rektorati konsideron që konkursi nuk ka nevojë të përsëritet, por vetëm procedurat e pranimit të kandidatëve në këto dy fakultete”, thuhet në përgjigje.

Mbledhja e Senatit, ku pritet të shqyrtohet kjo çështje, do të mbahet të enjten.

KOHA ka raportuar javën e kaluar se si UP-ja nuk kishte formuar komisione të jashtme për të parandaluar nepotizmin në rastet ku kandidatë ishin fëmijët e stafit akademik.

Sipas listës së rezultateve, disa fëmijë të profesorëve të UP-së u pranuan në fakultetet ku punojnë prindërit e tyre.

Gjatë këtij procesi, nuk është respektuar udhëzuesi për standardet dhe parimet etike të UP-së në lidhje me shmangien e nepotizmit e parandalimin e konfliktit të interesit.

Po ashtu, është shkelur pika 13 e konkursit, e cila precizon se do të konstatohet që ekziston konflikti i interesit, nëse kandidatët kanë lidhje gjaku me një apo më shumë anëtarë të personelit akademik të njësisë përkatëse.

Pikërisht kjo pikë ishte bërë shkas që të shtyhej provimi pranues, mirëpo pas disa ditësh, ai u mbajt dhe nuk u formuan komisione të jashtme për ta parandaluar nepotizmin.

KOHA ka raportuar se në Fakultetin Ekonomik është pranuar Ardi Ahmeti, djali i prodekanit për çështje mësimore, Skënder Ahmeti. Po ashtu, dy djemtë e Justina Shiroka-Pulës, e cila është në pension, por vazhdon të mbajë ligjërata me kontratë të përkohshme.

E në Fakultetin e Mjekësisë në studimet e doktoratës është pranuar Donat Begzati, djali i profesorit dhe njëherësh koordinatorit të studimeve të doktoratës, Agim Begzati.

Po në këtë fakultet, është pranuar edhe Zana Dragidella, vajza e profesorit Fatmir Dragidella.

Konkursi për studime të doktoratës është hapur në fund të muajit tetor për 134 studentë në 16 programe studimore.