Ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, është takuar me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në Romë, nga ku ka bërë të qartë se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është vetëm Bashkimit Evropë.
Përmes një shkrimi në Twitter të premten, Tajani ka konfirmuar angazhimin e qeverisë italiane në Ballkan, ndërsa ka përmendur edhe ushtarët italianë që janë pjesë e KFOR-it për të siguruar stabilitet në rajon.
“Ia konfirmova presidentes Vjosa Osmani angazhimin e qeverisë në Ballkan. Ne jemi edhe në vijën e frontit në Kosovë për siguri dhe stabilitet me misionin e KFOR-it. Ne duam të forcojmë praninë tonë. E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është BE-ja”, ka shkruar ai në Twitter.
Përmes një komunikate, gjatë ditë ZPRK-ja ka njoftuar po ashtu për takimin. Osmani ka thënë se Kosova ka dëshmuar sërish konstruktivitetin e saj në proces dhe po ashtu zotimin për të zbatuar atë për të cilën është dakorduar, duke qenë palë serioze dhe plotësisht e përkushtuar për dialog. Në anën tjetër, shtoi se pritjet e qytetarëve të Kosovës janë që do të përmbushen edhe zotimet e partnerëve, me theks të veçantë në integrimin e Kosovës në strukturat eurotlantike.
Ata u pajtuan për marrëveshje bashkëpunimi, përfshirë atë për njohjen e patentëshoferëve të Kosovës, nxitjen e bashkëpunimit ekonomik nëpërmjet forumit të bizneseve që do të organizohet së shpejti në mes të Kosovës e Italisë, thellimit të bashkëpunimit kulturor, arsimor, etj.