Arbëri

Tahiri: Taksa nuk hiqet as nesër e as pasnesër

Taksa nuk do të hiqet as nesër e as pasnesër. Kështu ka thënë Besnik Tahiri, koordiantor nacional për reformën shtetërore në Qeverinë e Kosovës, në një bisedë për Interaktiv të KTV-së.

folur për takimin që është paralajmëruar të mbahet të martën e 22 janarit, mes kryeministrit Ramush Haradinaj, kryeparlamentarit Kadri Veseli dhe ambasadorit amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, ka thënë se ky i pari do të përsëritë qëndrimin e tij për taksën.

“Vendimi për taksën nuk ka ardhur se ne jemi zgjuar në një mëngjes dhe kemi vendosur që ta vendosim taksën, por është një vendim politik që ka ardhur si pasojë e veprimeve të Serbisë, sidomos kohëve të fundit. Vendimi ka ardhur edhe si pasojë e diskutimeve dhe pajtimit mes partnerëve të koalicionit”, ka thënë Tahiri.

Ai ka thënë se po sheh një diskurs, për të gabueshëm, se taksa po i dëmton marrëdhëniet e Kosovës me Amerikën.

“Kjo taksë nuk është kundër Amerikës, as kundër ndonjë vendi të BE-së, madje as kundër Serbisë. Është taksë që tregon se këtu ka një shtet dhe një kryeministër që është sovran në vendimet e veta”, ka thënë Tahiri, përcjell Koha.net. “Taksa e ka bërë formësimin e shtetësisë së Kosovës, dinjitetin e qeverisjes në vend, dhe është bërë për të arritur efektet politike për të cilat është vënë”, ka thënë ai më tej.

Tahiri ka thënë se raportet me SHBA-në janë burimore dhe të kamotshme. Kur është pyetur për deklaratat e fundit të eksponentëve të PDK-së, që thonë se SHBA-ja nuk bën të mos dëgjohet.

“Më së paku kemi nevojë për këtë këshillë. S’ka nevojë me na tregu dikush që duhet ta dëgjojmë Amerikën. Nuk kemi lu mendsh ne me u prish me Amerikën, me mikun më të mëdhenj të shqiptarëve. Por taksa nuk ka të bëjë me Amerikën”, ka thënë Tahiri.

Është pyetur edhe për pozicionin e presidentit Hashim Thaçi, për taksën.

“Presidenti e ka rolin e vet. Unë flasë për pozicionin e z. Haradinaj. Por them se ai (Presidenti) duhet të luajë rolin e vet që e ka, që të krijojë unitet politik në raport me Serbinë”, ka thënë Tahiri.

Ka treguar se Haradinaj e Thaçi nuk janë takuar ende në vitin 2019.

“Por një komunikim i vazhdueshëm ekziston. Kjo e taksës është një temë serioze. Këtu duhet i madh e i vogël të bëhen bashkë. Taksa është vendim politik i koalicionit qeverisë, mirë i menduar dhe mirë i koordinuar”, ka thënë Tahiri.

Ai i është referuar edhe sondazhit të Koha.net, që ka pyetur lexuesit e vet nëse presin që taksa të hiqet, për të përforcuar bindjen e tij se taksa është pritur mirë në publik.

Në anën tjetër, ka thënë se “Serbisë i ka dhimtë shumë kjo taksë”.

“E ka humbur tregun e Kosovës e ka pas si bahçe të babës”, ka thënë Tahiri.

Koordinatori Tahiri ka thënë se taksa hiqet vetëm kur të mbërrin efektin për të cilin është vënë, e që është njohja e Kosovës nga Serbia.