Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Luhatja e koalicionit qeverisës

Foto: Driton Paçarada

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka ripërsëritur qëndrimin e tij që taksa ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, nuk do të hiqet. Deklaratën e tillë Haradinaj e ka bërë të hënën në Gllogjan të Deçanit, duke shtuar se nuk është mirë të provojë askush nga partnerët e koalicionit qeverisës që ta heqë taksën, pa vendim unanim e të gjithë partnerëve brenda këtij koalicioni.

“Tarifa nuk hiqet deri në njohje. Kuptojeni këtë. Në këtë drejtim unë e pres përkrahjen e të gjithë juve, e kërkoj përkrahjen edhe të partnerëve politikë edhe pse mund të kemi mendime të ndryshme. Kur e kemi marrë vendimin për taksën, kemi qenë unanim. Pra, secili ka thënë ‘po’. Nëse vendimi që të vendoset taksa ka qenë më demokratik i mundshëm, me votën e secilit partner të koalicionit qeverisës, atëherë nuk është demokraci që të hiqet pa votën e njërit, në këtë rast pa votën edhe të Aleancës (për Ardhmërinë e Kosovës) dhe timen”, tha Haradinaj.

Deklarata e kryeministrit Haradinaj vjen një ditë pas një deklarate lidhur me taksën nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, lider i subjektit më të madh politik brenda koalicionit qeverisës, Partisë Demokratike të Kosovës. Ai ka thënë se përmbi emocionet e taksës ndaj shtetit të Serbisë, duhet të flitet për urgjencën e racionalitetit shtetëror.

“Në vendimmarrjen shtetërore, asgjë nuk duhet të ketë personale. Pra edhe ky vendim, sikurse çdo vendim tjetër për Kosovën, duhet të jetë shtetëror dhe institucional. Duhet t’i vëmë në peshojë interesat strategjike të shtetit tonë përballë Serbisë, duke marrë parasysh edhe reflektimet për faktorët determinues të botës që na rrethon, Rusisë me aleatët e vet në njërën anë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian në anën tjetër. Me SHBA-në dhe BE-në në krah, Kosova është më mirë dhe më e sigurt”, ka thënë Veseli.

Veseli ka shtuar se Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës duhet të qëndrojnë prapa zotimeve të përbashkëta me partnerët amerikanë dhe evropianë.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në Radion Evropa e Lirë.

Artikuj të ngjashëm