Kryetari i Sindikatës së Bujqve, Tahir Tahiri, ka paralajmëruar se nuk do të ketë rendiment të kënaqshëm këtë vit, teksa ka shtuar se do të jetë edhe më keq se përgjatë viteve të kaluara.
I ftuar në emisionin “60 Minuta” të KTV-së, Tahiri ka thënë se temperaturat ekstreme, qofshin të ulëta apo të larta, kanë ndikuar në disfavor të të mbjellave, sidomos të grurit.
“Sipas raporteve që i kemi nga terreni, nuk do të kemi rendiment të kënaqshëm, madje frikësohemi se do të kemi vitin më të keq sa i përket rendimenteve. Ata për çdo ditë na informojnë me rezultatet që ballafaqohen, ankesat e tyre janë për thatësinë e mëhershme, tani të reshurat që kanë ndikuar në paraqitjen e sëmundjeve. Sipas informacioneve preliminare, nuk kemi rezultate të mira sa i përket rendimentit”, ka thënë ai.
Tahiri: Ministria po i vonon subvencionet
Tahir Tahiri, kryetar i Sindikatës së Bujqve, ka akuzuar Ministrinë e Bujqësisë për vonesë në dhënien e subvencioneve, duke thënë se dhënia me vonesë e tyre, nuk ka kurrfarë efekti.
“Ne i kemi thënë Ministrisë që subvencionet të jepen në fazën vegjetative, në fillim të pranverës, kur është koha për riplehërim, në mënyrë që bujqit të kenë mjete të mjaftueshme. Këtë vit nuk i kanë marrë ende subvencionet dhe kjo është shqetësuese për ne si sindikatë. Ato janë vonuar me gjasë që ju mungon një kuadër, nuk do shumë angazhime shpallja për aplikim e cila është bërë tepër vonë, më 26 prill dhe ka zgjatur deri më 26 maj, subvencionet nuk mund të jepen gjatë kohës kur bujkut i duhen të paktën për të paguar këmbaj. Dhënia e subvencioneve me vonesë nga ministria, nuk ka kurrfarë efekti. Ne kemi kërkuar bashkëpunim të ngushtë dhe jemi të gatshëm t’ju ndihmojmë ministrisë me aktivistët që i kemi në terren”, ka thënë ai.
Kryetari i Sindikatës së Bujqve ka shtuar se do të ketë më pak drithë dhe kualitet më të dobët.
Edhe
Çmimi i ulët i grurit dhe mungesa e fuqisë punëtore, ndër sfidat e bujqve kosovarë
“Gjendja financiare e bujqve është e vështirë, sivjet kemi pas rritje të çmimit marramendëse dhe bujqit nuk kanë pasur mjete të duhura për të bërë riplehërimin. Diku për 30 apo 40 për qind jemi sivjet më pak me rendimente, do të kemi më pak drithë dhe ajo që është më e vështirë dhe më e rëndë është se kualiteti do të jetë më i dobët. Për shkak çmimit të ulët, bujqit po presin për ta dorëzuar grurin për më vonë”, ka thënë ai.
Tahiri ka thënë se me rritjen e çmimit të grurit, ka rrezik të rritet edhe çmimi i bukës, megjithëse është rritur.
“Nga kjo situatë më së shumti përfitojnë tregtarët, furrtarët. Nuk përjashtohet mundësia që tani kur të fillojmë me bukën e re, të jetë çmimi më i lartë”, është shprehur ai.