Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Tahiri për mospranimin e Kurtit që të takohet me Ramën: Moment i turpshëm për shqiptarët

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i kërkon kryeministrit Albin Kurti që të takohet me kryeministrin e Shqipërisë.

Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, e ka quajtur skandaloz mospranimin e Kurtit që të takohet me Edi Ramën, i cili parashihet të jetë të enjten në Kosovë.

Tahiri ka shtuar se duhet të merret parasysh se përveç se është shtet mik, Shqipëria është anëtare e NATO-s e si e tillë s’do të duhej të refuzohej.

“Sa i përket vizitës së kryeministrit Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë cilido qoftë ai vjen në shtëpinë e vet, te motrat e vëllezërit e tij. Mospranimi që të takohet me kryeministrin e Shqipërisë nga Albin Kurti është një ndër skandalet më të mëdha, ndër momentet që e bën të turpëruar secilin shqiptar. Edi Rama është kryeministër, nuk vjen si person privat, përfaqëson një shtet që është anëtar i NATO-s, mbi të gjitha është mik”, ka thënë ai në një konferencë për media.

Tahiri ka deklaruar se Kurti po shpërfaq agjendë mashtruese e hipokrite me kushtëzimin që i ka vënë Ramës.

“Takimi duhet të ndodhë sepse Rama e ka bërë edhe një hap tutje që 13 marrëveshjet të nënshkruhen nga pala shqiptare që të plotësohet kushti i Kurtit. Këto kushtëzime e zbardhin një agjendë mashtruese, hipokrite që e ka pasur Kurti gjatë gjithë kohës, që prej platformës të bashkimit kombëtar e valëvitjes flamurit shqiptar në Kuvend, që i ka harruar të gjitha”, ka përfunduar kreu i Grupit Parlamentar të AAK-së.