Arbëri

Tahiri për Kurtin: Kryeministri i parë që me fjalimin e tij prishi ditën solemne

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë për deklaratat e kryeministrit Albin Kurti në Kuvend se janë për keqardhje, pasi sipas tij, nuk ka ndodhur asnjëherë që dita solemne të prishet nga një fjalim i një kryeministri të Kosovës.

Tahiri thotë se kur e ftojnë Kurtin në debatet parlamentare për problemet që ai i foli, kryeministri nuk ka kohë.

“17 shkurti do të duhej të ishte një datë e cila do të na bashkonte në kujtimin e sakrificës tonë si komb mirëpo ajo që pamë sot është për keqardhje. Nuk ka ndodh asnjëherë që dita solemne të prishet nga fjalimi i kryeministrit të Kosovës. Nuk heziton që të akuzojë mediat, të akuzojë deputetët e opozitës. Sot vendi ynë po kalon nëpër një krizë jashtëzakonisht të rëndë. Kur ne e ftojmë që të jetë prezent që të diskutojmë për këto probleme ai nuk e gjen kohën që të jetë prezent në debatet parlamentare. Nuk e gjen kohën që të jetë prezent në seancat e jashtëzakonshme dhe sot, në përvjetorin e shpalljes së pavarësisë, e gjen veten qe të plasojë shumë të pavërteta. Është mjeruese, është për keqardhje mënyra se si e trajton shtetin e Kosovës vet kryeministri i Kosovës. Ta prishësh ditën solemne është e papranueshme, në anën tjetër është e papranueshme që sot nuk i kemi as familjet e dëshmorëve këtu”, ka thënë Tahiri.

Ai ka kritikuar Kurtin dhe presidenten Vjosa Osmani që nuk kanë përmendur figurat e Partisë Demokratike të Kosovës, siç është ish-presidenti Hashim Thaçi, për 14-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.

“Si parti opozitare ne do të jemi në krye të detyrës dhe në asnjë anë nuk do të lejojmë devijimin e agjendës tonë shtetërore. Është e papranueshme që në përvjetorin e shpalljes së pavarësisë të mos përmenden akterët e asaj kohe. Në këto data njerëzit që kanë qenë akterët kryesorë, duke nisur nga kryeministri, është e papranueshme të injorohen edhe nga presidentja, sikur nuk kanë ekzistuar fare”, u shpreh ai.

Kurti shfrytëzoi seancën e sotme solemne për të lavdëruar Qeverinë që udhëheq, derisa opozita lëshoi sallën.