Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri, ka reaguar pas situatës së krijuar nga takimi i së hënën midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Bruksel.
Ajo ka thënë se Kurti po e dramatizon çështjen e targave për ta përgatitur opinionin për kompromise.
“Tashmë të parin e bëri duke pranuar mungesën e njohjes reciproke në planin franko-gjerman”, ka shkruar Tahiri në Facebook.
Pas bisedimeve të cilat zgjatën rreth 8 orë në kryeqendrën evropiane, palët kanë njoftuar se nuk është arritur një marrëveshje për targat midis dy vendeve.
Derisa Shefi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, e ka fajësuar Kosovën për refuzim të propozimit të BE-së sa i përket çështjes së targave, Kurti ka thënë se Borrell ka hequr dorë nga afati i marsit të vitit 2023 si datë përfundimtare për normalizim të marrëdhënieve Kosovë – Serbi.