Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Tahiri: BE-ja duhet t’i shkarkojë ndërmjetësuesit

Ish-kryenegociatorja e Kosovës për bisedime me Serbinë, Edita Tahiri, ka deklaruar se Bashkimi Evropian duhet t’i shkarkojë dy ndërmjetësuesit e dialogut, të dërguarin special Miroslav Lajçak dhe shefin e diplomacisë, Josep Borrell.

Ajo ka shkruar në Facebook të martën se Kosova është ndëshkuar kur ka bërë gabime, e sipas saj, vazhdimi i dialogut pa e ndëshkuar Serbinë s’ka kuptim.

“Borrell dhe Lajçak në çfarë planetin janë, duhet të japin dorëheqje pas sulmit hegjemon të Serbisë ndaj Kosovës. Tash BE-ja duhet ta suspendojë Serbinë e terroristëve nga integrimi evropian; të shkarkojë dy ndërmjetësuesit. Kosovën e ndëshkuan kur bëri gabime, tash pa ndëshkuar Serbinë thirrjet për vazhdimin e dialogut nuk kanë asnjë kuptim”, ka thënë ish-kryenegociatorja e Kosovës.

Pas vrasjes së rreshterit Afrim Bunjaku në fshatin Banjskë të Zveçanit, Tahiri kishte propozuar që Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe NATO-ja ta anëtarësojnë Kosovën në NATO pasi “vetëm kështu Serbia ndalet”.

“Me qëllim të ruhet paqja në Ballkan e arritur pas luftërave të pavarësisë së shteteve, përfshirë Kosovën, që u pagua shumë shtrenjtë me gjenocid të përjetuar. Duhet shpejt të veprohet”, kishte shtuar ajo në Facebook.

Lajçak e Borrelli e kanë dënuar vrasjen e rreshterit Afrim Bunjaku, duke e quajtur terrorist sulmin ndaj Policisë së Kosovës.

Artikuj të ngjashëm