Për bllokadën e krijuar në konstituimin e përbërjes së re të Kuvendit, përfaqësues të taborëve politikë kanë hedhur akuza për shkelje të Kushtetutës. Ata të PDK-së, LDK-së e AAK-së kanë vlerësuar se me insistimin për të kaluar në votim të fshehtë për kryeparlamentarin, është vepruar kundër aktit më të lart juridik, ndërkaq ata të Vetëvendosjes thanë se shkelje përbën refuzimi për të votuar brenda seancës.
Akuza për përgjegjësi rreth ngërçit politik dhe për shkelje kushtetuese, janë hedhur nga përfaqësues të partive politike, pas dështimit për të arritur rezultat në vazhdimin e 14-të të seancës konstituive.
Ky takim deputetësh është shfrytëzuar nga AAK-ja për ta vazhduar mbledhjen e nënshkrimeve që do t’i mbështeten kërkesës me të cilën të hënën do t’i kërkohet Gjykatës Kushtetuese të tregojë nëse kryesuesi shkeli Kushtetutën, duke kërkuar votim të fshehtë për kryeparlamentarin.
"Do ta keni kërkesën eksplicite… është e qartësuar e saktësuar me nene e me paragrafe dhe nesër do ta keni në dorë. Besoj që është shkelje e procedurave, është shkelje e procedurave, është shkelje Kushtetuese që në mes të votimit, pa pasur vota, pa pasur mocion, pa kaluar (v.j si mocion) në Kuvendin e Kosovës e kanë ndryshuar formën e votimit prej votim të hapur në votim të mbyllur", ka deklaruar ajo.
Pasi për gjashtë herë radhazi dështoi të marrë votat e nevojshme e propozuara e Vetëvendosjes për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, kryesuesi ka thënë se duhet shkuar në votim të fshehtë dhe për këtë ka kërkuar nga subjektet politike të japin emrat për anëtarë komisioni që mbikëqyr këtë proces.
Komisioni nuk është miratuar, meqë deputetët e subjekteve që kanë qenë në opozitë në mandatin e shkuar as nuk kanë dhënë emrat e anëtarëve dhe as nuk kanë marrë pjesë në votim.
Përfaqësues të Vetëvendosjes thanë se refuzimi për të votuar përbën shkelje të Kushtetutës dhe kritikuan edhe nismat për mbledhjen e nënshkrimeve nga deputetët.
Duke e shfrytëzuar këtë hapësirë po bëjnë veprime të cilat: 1) bëjnë shkelje në Kuvend pasi nuk marrin pjesë në votim, 2) mbledhin nënshkrime për çështje që nuk mund të kemi as vendimmarrje, u shpreh deputetja Mimoza Kusari-Lila
Deputeti Faton Peci shtroi nevojën të dërgohet në Kushtetuese edhe rasti i mospjesëmarrjes së ligjvënësve në votim.
"Kjo çështje se a mund të jetë potencialisht objekt i trajtimit të Gjykatës Kushtetuese unë mendoj që do të ishte mirë sikurse dikush do ta adresonte këtë rast që të kemi një interpretim të tillë", ka thënë ai.
Një ditë më parë, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, tha se është përgjegjësi e të gjitha partive ta përmbyllin seancën konstituive. Ndërkaq, përgjegjësinë për formimin e qeverisë pastaj, tha se e merr vetë.
Përfaqësues të PDK-së dhe LDK-së theksuan se Kurti nuk e ka shumicën, dhe e akuzuan atë për ngërçin e krijuar.
"Situata është kjo që është dhe duket siç e kanë thënë edhe më herët që Albulena Haxhiu për Albin Kurtin është më e rëndësishme se rreth 1 milion qytetarë të Kosovës – tashmë është fakt i dëshmuar", ka deklaruar kreu i PDK-së, Memli Krasniqi.
Ndërsa, Lutfi Haziri i LDK-së tha se procesi i zgjedhjes së kryetares së Kuvendit është i lidhur me marrëveshje politike.
"Me vetë faktin që ende nuk kemi një marrëveshje politike për Qeverinë nuk po besoj që mund të përballohet zgjedhja e kryetares së Kuvendit e nominuar prej Vetëvendosjes sepse ky është proces i lidhur përkundër që kryeministri në detyrë po insiston se që ta ndajë dhe po punon që ndarazi t’i zgjidhë këto çështje".
Vetëvendosja i ka bërë ofertë LDK-së për bashkëqeverisje, por është refuzuar. Ndërkaq, LDK-ja ka propozuar qeveri të spektrit të gjerë, me mandat njëvjeçar, por është kundërshtuar nga të gjitha subjektet politike.