Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme e Siguri, Peter Stano, ka thënë se hetimet për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit më 22 shtator të vitit të kaluar janë në duar të institucioneve të Kosovës.
Stano është pyetur lidhur me deklaratat që ka dhënë ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, në një intervistë për “Interaktiv” të KTV-së, i cili tha se hetimet për sulmin në Banjskë mund të zgjasin me vite.
Stano në konferencë për media në Bruksel të mërkurën, tha se hetimet janë në duar të institucioneve të Kosovës dhe afatet varen nga to.
“Afatet kohore të hetimeve sigurisht se janë në duar të autoriteteve relevante të Kosovës. Ishte një sulm brutal dhe i dënueshëm në territorin e Kosovës dhe autoritetet e Kosovës janë duke hetuar. Qëndrimi i BE-së është se pos dënimit të sulmit ka kërkuar qartësim në formë të një hetimi të plotë. Qëndrimi është se po presim përfundimin zyrtare të hetimeve nga autoritetet e Kosovës. Kur të jetë i gatshëm raporti e duke u bazuar në të, ne vendosim hapat tona apo qëndrimin. Është në duar të autoriteteve të Kosovës”, tha Stano.
Stano ka thënë se pritjet e 27 shteteve anëtare të BE-së janë që të shohin raportin përfundimtar të hetimit të një sulmi të rëndë që ndodhi në territorin e Kosovës.
“Ishte shumë e rëndë, jemi të vetëdijshëm dhe jemi të interesuar të shohim qartësi, se kush e ka bërë, kush i ka përkrahur dhe kush është përgjegjës. Por, për të pasur këto përgjigje, duhet të shohim raportin përfundimtar, jo dokumente që publikohen nga palë. Mendoj se është proces normal ligjor që lidhet me çdo krim, sulm apo incident si ky – ke hetim e pastaj del me përfundime”, ka thënë Stano.
Szunyog në “Interaktiv” të KTV-së kishte thënë se me “ç‘kupton ai në Kosovë, hetimet mund të zgjasin me vite”.
“Presim nga Serbia që t’i hetojë, t’i ndjekë penalisht dhe t’i sjellë para drejtësisë të gjithë. Po presim nga Serbia si shtet kandidat që po negocion për anëtarësim në BE që ta kenë një sundim ligji e gjyqësor të pavarur që është i zoti, po them përsëri, ta hetojë, t’i akuzojë dhe t’i dënojë të gjithë përgjegjësit. Kemi parë vetëm një raport, që u quajt raport fillestar që u shpërnda nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, besoj në tetorin e vitit të shkuar. Nuk kemi parë gjë përtej saj dhe me ç’kuptoj unë në Kosovë hetimi mund të zgjasë me vite të tëra”, tha Szunyog.