Arbëri

Szunyog: Hetimi për sulmin në Banjskë mund të zgjasë me vite të tëra

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë se zgjedhjet e reja në katër komunat veriore do të ndihmonin për heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës.

Të martën në “Interaktiv” të KTV-së, Szunyog e ka bërë të qartë se masat ndëshkuese do të jenë në fuqi deri në verë.

“Votimet e reja në të katër komunat veriore do të ndihmonin për të filluar me bisedën se si të hiqen masat. Gjithmonë kemi propozuar që mënyra më e lehtë, më e shpejtë do të ishin zgjedhjet e parakohshme përmes dorëheqjes së katër kryetarëve dhe në rastin ideal edhe të asamblistëve të kuvendeve komunale”, ka thënë ai.

Derisa është pyetur për fotografinë e takimit të ambasadorit të Serbisë në SHBA, Marko Gjuriq, me protagonistin e sulmit në Banjskë, Milan Radoiçiq, Szunyog ka ripërsëritur qëndrimin e zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, se nuk kanë nevojë ta komentojnë çdo takim të zyrtarëve serbë.

“Epo do ta thosha atë që e tha z. Stano që nuk kemi nevojë të komentojmë lidhur me çdo takim”, ka thënë ai.

Lidhur me sulmin e 24 shtatorit në Banjskë, shefi i Zyrës së BE-së ka thënë se hetimi mund të zgjasë me vite të tëra.

“Presim nga Serbia që t’i hetojë, t’i ndjekë penalisht dhe t’i sjellë para drejtësisë të gjithë. Po presim nga Serbia si shtet kandidat që po negocion për anëtarësim në BE që ta kenë një sundim ligji e gjyqësor të pavarur që është i zoti, po them përsëri, ta hetojë, t’i akuzojë dhe t’i dënojë të gjithë përgjegjësit. Kemi parë vetëm një raport, që u quajt raport fillestar që u shpërnda nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, besoj në tetorin e vitit të shkuar. Nuk kemi parë gjë përtej saj dhe me ç’kuptoj unë në Kosovë hetimi mund të zgjasë me vite të tëra”, është shprehur ai.

Për pritjet e tij sa i përket zbatimit të marrëveshjes së Brukselit, Szunyogu e ka përmendur formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe si mënyrë e shpejtë e lëvizjes në zbatim.

“Mendoj se nëse ka një vendim për të lëvizur në zbatim, dhe specifikisht dhe duke përfshirë Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe, mendoj se Bashkimi Evropian do të përgjigjej në mënyrë pozitive dhe të shpejtë. Do të nënvizoja edhe një gjë. Që prej vitit 2022, Bashkimi Evropian është duke e parë zgjerimin e saj si një mjet gjeopolitik dhe gjeostrategjik nga situata e re që u krijua agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës. Kështu që tash, ky është momenti që zgjerimi i BE-së është prioriteti absolut i Bashkimit Evropian dhe vitin e kaluar ne kemi ndërmarrë disa vendime të rëndësishme për të lëvizur tutje me integrimin e Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë”, ka thënë ai.


Szunyog për “draftstatutin e Qeverisë”: Mirëpresim çdo propozim

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë se bashkësia ndërkombëtare po kërkon “një propozim që do t’i përmbushte obligimet e jashtme dhe të brendshme të Kosovës dhe një dokument që do ta themelonte Asociacionin”.

I pyetur për mundësinë që Qeveria ta bëjë një draftstatut të Asociacionit, ai është përgjigjur se kërkesa e BE-së ka qenë që Qeveria të marrë vendim për të miratuar diçka.

“Por prapë, ne do ta mirëprisnim çdo propozim për draftstatut. Meqë ra fjala, kishte edhe një draft propozim më herët nga Fridrih Ebert Shtiftung dhe që ishte relevant. Kështu që prapë, le të kemi një debat për këtë, le të kemi propozime të ndryshme, por ajo çfarë ne kemi kërkuar është një vendim i Qeverisë së Kosovës për të miratuar diçka”, ka thënë ai.

Szunyog ka theksuar se procesi i negociatave është i rëndësishëm për Kosovën e Serbinë, por se nëse “të dyja palët nuk po ndihen se kjo është rruga, ne nuk do ta detyrojmë askënd që të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian”.

“Nëse njerëzit nuk janë të interesuar, atëherë është vështirë për ta detyruar që të bëjë një gjë të tillë”, është shprehur ai.

Duke dënuar sulmin në Banjskë, ai ka ritheksuar se kryesit e sulmit duhet të sillen para drejtësisë dhe të dënohen, e se BE-ja pret që edhe Serbia të përmbushë këtë gjë.


Szunyog: Themelimi i Asociacionit mund ta ndihmojë Kosovën të ecë drejt BE-së

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë se Kosova do të mund të përparonte në rrugën drejt BE-së nëse themelon asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Szunyog në një intervistë për “Interaktiv” të KTV-së

“Ka çështje të caktuara që nëse zbatohen mund të ndihmojnë Kosovën drejt anëtarësimit në BE. Nga perspektiva ime, Asociacioni është çështje që ka mbetur gjatë, por është çështje e Kosovës. Asgjë se ndalon Kosovën ta krijojë Asociacionin, pavarësisht se çfarë bën pala tjetër. Në fakt mendoj se kjo do të zgjidhë një numër të çështjeve të tjera. Në një mënyrë aktualisht do ta ndihmojë Kosovën në aspektin e brendshëm, por edhe do ta ndihmojë Kosovën në rrugën drejt BE-së”, ka thënë Szunyog.

Szunyog ka thënë se çështja e anëtarësimit drejt BE-së është e komplikuar, por thotë se me themelimin e Asociacionit “shtetet anëtare do të ishin më të gatshme të pranojnë aplikimin e Kosovës”.

“Nuk mund t’ju jap garanci të qind për qind, por atë që kam ndier është se shtetet anëtare do të jenë shumë më të gatshme të pranojnë këtë aplikim, të pyesin Komisionin, e të lëvizin në hapin tjetër që është dhënia e statusit të shtetit kandidat, nëse çështja të caktuara lëvizin disi edhe në dialog. Sipas kuptimit tonë, dialogu është dera nëpërmjet të cilës duhet të ecni për të shkuar drejt hapave të radhës. E hapi i radhës është statusi i shtetit kandidat. Kjo mund të ndodhë vetëm nëse ka vullnet të mirë në Këshill dhe unanimitet me të cilin hapat e radhës mund të pranohen. Sërish, kjo kërkon hapa të caktuara nga ana e Kosovës”, ka thënë Szunyog.

Për draftstatutin e propozuar nga BE-ja, Szunyog ka thënë se janë përfshirë gjitha kërkesat e Kosovës aty dhe se mund të dërgohet për verifikim në Gjykatën Kushtetuese nëse është në përputhje me Kushtetutën. Ai e ka quajtur këtë drafstatut si ndihmë.

“Janë angazhuar avokatët më të mirë ndërkombëtarë e rajonalë, ekspertë në mbrojtje të pakicave, vetëqeverisjes lokale e tjera. Propozuam këtë tekst të caktuar. Mendojmë që është tekst i mirë. Por, të flasim në aspektin strikt, është proces i brendshëm i Kosovës”, ka thënë Szunyog, duke komentuar deklaratat e kryekuvendarit Glauk Konjufca, që kishte thënë se BE-ja s’ka kompetencë të propozojë draftstatut për Asociacionin.

Szunyog ka thënë se kishte pritur që progresi në dialog të ishte më i shpejt dhe më substancial. Por, ai ka thënë se gjatë mandatit sa është ambasador i BE-së në Kosovë ka pasur lëvizje. Ka përmendur marrëveshjen për targat, për energjinë si dhe Deklaratën për të pagjeturit.

Ambasadori i BE-së ka thënë se marrëveshja e nënshkruar në Bruksel në shkurt të vitit të kaluar dhe aneksi në Ohër në mars, janë ligjërisht të obligueshme. Ai thotë se këto janë bërë të obligueshme në momentin që Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell doli në konferencë për media dhe i bëri zyrtare ato.