Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Szunyog i shpreh mirënjohje Kosovës për ndarjen e vlerave të përbashkëta me BE-në

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, është pritur në takim të martën nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Në një komunikatë për medie është bërë e ditur se Konjufca ka vlerësuar bashkëpunimin dypalësh dhe kontributin e Bashkimit Evropian për progresin e arritur në implementimin e reformave legjislative të cilat i kontribuojnë procesit integrues dhe perspektives euroatlantike të Kosovës.

“Duke e dënuar pushtimin e paprovokuar të Ukrainës, Konjufca u shpreh se Kosova qëndron përkrah BE-së, NATO-s, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar dhe mbarë botës demokratike, përfshirë edhe vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë. Ai theksoi se Kosova është partner i besueshëm i BE-së, derisa shtoi se Serbia u rreshtua në anën e Putinit dhe me të njëjtën retorikë luftënxitëse vazhdon ta kërcënojë Kosovën”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Kuvendi.

Ambasadori Szunyog nga ana e tij, ka thënë se në këtë takim ka dëgjuar angazhimin për reformën gjithëpërfshirëse zgjedhore.

Ai konfirmoi mbështetjen për punën e Kuvendit dhe agjendën evropiane të Kosovës.