Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Syla kritikon Qeverinë: Sot bëtë krim intelektual

Kryetari i Federatës së Sindikatës së Shëndetësisë në Kosovë, Blerim Syla, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës që nuk ka marrë ende vendim për të paguar shtesat për mjekët për angazhimin e tyre në menaxhim të pandemisë. Në ditën kur Qeveria lehtësoi masat për klubet e natës dhe lejimin e ahengjeve, Syla ka thënë se institucionet kanë bërë krim intelektual.

“Më falni ju lutem, po e pranoj humbjen në mes të punëtorëve shëndetësorë dhe të tjerëve. E nderuara politikë e Kosovës, faleminderit. Pra ky është shteti që do e ndërtoni, bravoooooo. Punëtorëve shëndetësorë ju hjekni të drejtën për jetë, pra i ndaloni shtesat e të tjerëve u lejoni përfitime marramendëse. Ju sot keni bë një krim intelektual. Ju sot fëmijëve tanë u keni dërguar dy mesazhe, bëhuni këngëtarë (tallava) o shërbyes seksualë e në fund mirë kishte me qenë të jeni mërgimtarë, më fal u bënë tre mesazhe. Por nejse ju e dini, ju mundeni, ju e keni besimin e popullit. Por në fund do i kërkoj falje prindërve pse s’u bëra këngëtar, prostitutë, mërgimtar por u bëra mjek. Falëm Zot... por më falni edhe ju fëmijët e mi”, ka shkruar ai në Facebook.

Të mërkurën, Qeveria vendosi të lehtësonte disa masa në luftën ndaj koronavirusit. Masat më të theksuara që u lehtësuan ishin zgjatja e orarit për një pjesë të gastronomisë si dhe lejimi i funksionimit të klubeve të natës e lejimit të mbajtjes së ahengjeve.