Arbëri

Sindikata e konsideron shkelje ligjore mospagimin e shtesave për mjekët

Punëtorëve shëndetësorë dhe stafit mbështetës nuk u janë paguar shtesat për angazhimin e tyre në menaxhimin e pandemisë. Kjo ka nxitur reagimin e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë në Kosovë, të cilët këtë po e konsiderojnë shkelje të Ligjit për luftimin e kësaj pandemie.

“Ligjin anti-COVID, i cili është votuar në Parlamentin e Republikës së Kosovës në dhjetor të vitit të kaluar, e thekson neni 20, që shtesat vlejnë për të gjithë të punësuarit në shëndetësi deri në përfundim të pandemisë, pra, në momentin kur përfundon pandemia ndërpriten edhe shtesat. Në Kosovë pandemia nuk ka përfunduar zyrtarisht”, ka deklaruar Blerim Syla, kryetar i kësaj federate.

“Kategoritë e përfituesve, lartësia e shumës dhe kohëzgjatja e kompensimit të shtesave të punonjësve të institucioneve shtetërore të angazhuara në betejën kundër pandemisë COVID-19 caktohen me akt nënligjor të nxjerrë nga Qeveria e Republikës së Kosovës”, thuhet në nenin 20 të Ligjit për Parandalimin dhe Luftimin e COVID-19.

Kryesindikalisti i Shëndetësisë, Skënder Syla, tutje ka sqaruar se për t’u shpallur e përfunduar pandemia duhet të kalojnë së paku 100 ditë pa asnjë person të infektuar.

Meqë nuk është përmbushur ky kriter, sindikatat i kanë drejtuar kërkesë Ministrisë së Shëndetësisë, asaj të Financave dhe vetë kryeministrit në lidhje me ndryshimin e vendimit të tyre për shtesa.

“Kërkojmë nga Ju, bazuar në Ligjin nr.07/L-006 për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës, që t’jua vazhdojë shtesat në pagë për punëtorët shëndetësorë deri në fund të pandemisë apo aprovimit të Ligjit të Pagave. Jemi të detyruar të bëjmë publike këtë kërkesë pas dhjetëra shkresave që ua kemi adresuar: presidentes të Republikës së Kosovës, Zyrës së Kryeministrit, ministrave përkatës, Komisionit Parlamentar për Shëndetësi dhe deputetëve që përfaqësojnë komunitetin shëndetësor në Parlamentin e Republikës së Kosovës, por nuk kemi marrë përgjigje”, thuhet në letrën e FSShK-së.

Ministria e Shëndetësisë nuk ka pranuar të përgjigjet për KOHËN, nëse do të shqyrtohet kërkesa e Sindikatës.

E nëse kjo kërkesë nuk aprovohet, kryetari i FSShK-së ka bërë të ditur se për shkak se ua ndalon ligji, punëtorët shëndetësorë nuk do të mbajnë greva e as protesta.

“Nëse vazhdohet me vetë shkeljen e Ligjit, atëherë do të mblidhet Këshilli Drejtues. Ne e kemi vetëm një kërkesë të vetme dhe nuk do të bazohemi më në Ligjin e pandemisë, por do të kërkojmë që sa më shpejt të aprovohet Ligji i Pagave, i cili do ta vendosë punëtorin shëndetësor në vendin e merituar”, ka thënë Syla.

Sipas tij, për këto shtesa duhen ndarë rreth 1.5 milionë euro në muaj nga Qeveria.