Analisti i çështjeve ekonomike, Lulzim Syla, ka thënë se keqqeverisja do të ndikojë që këtë vit të ketë më shumë ikje.
Në “Konfront” të KTV-së të enjten, Syla ka thënë se shteti është vonuar në trajtimin e disa problemeve që kanë ndikuar në migrimin e të rinjve.
“Ne si shtet jemi vonuar në trajtimin e këtyre problemeve, secila qeveri që ka ardhur e ka paraqitur në kuadër të planit politik, por jo edhe në zbatim. Në zbatim ne kemi dështuar që t’iu qasemi gjërat praktikisht. Duhet të ketë anketim se cilat janë kërkesat e të rinjve për të qëndruar në këtë vend, sepse nuk është problem vetëm te paga, është edhe një jetesë e dinjitetshme që duhet të bëhet. Kur ka rritje ekonomike më të madhe, ka edhe punësim, kur ka punësim me automatizëm parandalohet ikja e të rinjve”, është shprehur ai.
Syla tutje ka thënë se në fillim do të ketë eufori për të lëvizur.
“Ndoshta vitin e parë edhe mund të ketë eufori për të lëvizur, për të parë mundësitë e eksplorimit të tregut, ndoshta do të ketë edhe një lëvizje më të madhe sesa viteve të kaluara, por unë mendoj që ai që ka pasur ndërmend të shkojë, ka gjetur alternativa gjatë viteve të kaluara që të shkojë qoftë në vendet e BE-së, qoftë vendet e tjera për të emigruar, për të studiuar dhe çkado. Mendoj se nuk ka qenë problem qenësor viza për të lëvizur, për t’u punësuar jashtë vendit, thjeshtë kjo është një masë shtesë që edhe atyre pak njerëzve nuk iu ka rënë të shkojnë, është mundësi e mirë”, ka thënë ai.
Syla: Bizneset dhe Qeveria u vonuan në trajtimin e ikjes së punëtorëve
Edhe Përherë në ikjeAnalisti i çështjeve ekonomike, Lulzim Syla, ka thënë se bizneset dhe Qeveria janë vonuar në parandalimin e ikjes së punëtorëve.
Ai ka shtuar se përveç Ligjit të Pagave, në Kosovë duhet të rregullohet edhe përcaktimi i orës së punës.
“Ajo që do të duhej ta ndërronte radikalisht, pozitivisht situatën në Kosovë sa i përket çështjes së pagave është që përveç Ligjit të Pagave që është bërë për pagën më të ulët, duhet t’i qasemi edhe një elementi tjetër që nuk është përmendur asnjëherë deri tash, është përcaktimi i orës së punës për secilën kategori të punës. Kjo karakteristikë në Gjermani ndihmon shumë që punëdhënësi dhe punëmarrësi me kohë, ai e di qysh herët se sa e ka orën në çfarëdo pune, pra me kohë e di se çfarë page e pret në karrierën e tij”, ka thënë ai.