Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Sveçla: Siguria në Kosovë kërcënohet nga sulmet e shtyra nga grupe politike

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se siguria në Kosovë kërcënohet nga sulmet e shtyra nga grupe politike, të cilat kanë për qëllim destabilizimin e vendit.

Sveçla ka thënë të martën në konferencën “Ndërtimi i Reziliencës: Programet R&R për ekstremistët dhe luftëtarët e huaj në Kosovë dhe Itali’’, se aktet e ndryshme kriminale vazhdojnë të paraqesin kërcënim për sigurinë e vendit.

“Terrorizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm mbesin ndër kërcënimet më serioze në mbarë botën. Aktet e ndryshme kriminale vazhdojnë të paraqesin kërcënim për sigurinë në Kosovë, përfshirë edhe sulmet e shtyra nga grupet politike që kanë për qëllim destabilizimin e vendit”, ka thënë Sveçla.

Sipas tij, bashkëpunimi ndërmjet shteteve është esencial në luftimin e terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

“Në baze të punës së deritanishme, institucionet e Kosovës kanë bërë hapa të mëdhenj në trajtim të këtij problemi, në trajtimin e çështjeve që kanë të bëjnë me terrorizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm”, është shprehur Sveçla.