Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Sveçla: Serbi i arrestuar dyshohet se ushtroi dhunë çnjerëzore ndaj të burgosurve shqiptarë

Svecla

Për serbin e arrestuar në Graçanicë, me dyshimin për krime lufte, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, deklaroi se dyshohet se në cilësinë e gardanit në burgun e Lipjanit, kishte ushtruar dhunë çnjerëzore ndaj të burgosurve shqiptarë, në bashkëpunim me persona të tjerë.

Sveçla shkroi në Facebook të mërkurën se për arrestimin e tij janë kryer hetime të gjata, ndërsa tha se sado që kalojnë vitet, keqtrajtimet dhe torturat e atyre viteve nuk mund të kalojnë pa u ndëshkuar.

"Pjesëmarrësit në krimet makabre gjatë luftës në Kosovë duhet të mbahen përgjegjës. Ndaj personit të arrestuar sot në Graçanicë, ka pasur një punë të gjatë hetimore, nga e cila janë mbledhur prova të mjaftueshme për ekzistimin e dyshimit për pjesëmarrje në krimet gjatë kohës së luftës. Në cilësinë e gardianit të burgut në Prishtinë dhe në paralelen e ndarë nga Prishtina konkretisht në burgun e Lipjanit, gjatë asaj periudhe, në mënyrë sistematike, dyshohet se ka ushtruar torturë e dhunë çnjerëzore ndaj të burgosurve shqiptarë, në bashkëpunim dhe me persona të tjerë. Gjatë kontrolleve të zhvilluara dhe bastisjes në banesën e të dyshuarit ditën e sotme, janë gjetur dhe konfiskuar armë ilegale në posedim të personit”, shkroi ministri i Punëve të Brendshme.

Ai përgëzoi Policinë e Kosovës për hetimet dhe arrestimin.

“Përgëzoj Policinë e Kosovës për punën e jashtëzakonshme të zhvilluar gjatë hetimeve si dhe për arrestimin. Sado që vitet kalojnë, keqtrajtimet dhe torturat e atyre viteve nuk mund të kalojnë pa u ndëshkuar. Përgjegjësit duhet të vihen para drejtësisë”, tha ai.