Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Sveçla: Qytetarët po i jetojnë ditët e triumfit të shtetit tonë

Ministri i Mbrojtjes, Xhelal Sveçla ka thënë se qytetarët serbë të Kosovës sot kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre të votimit në komunat e Serbisë pa asnjë pengim nga ana e institucioneve apo qytetarëve të Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook ai ka thënë se me kapacitete të shtuara policore në të gjitha komunat dhe në pikat kufitare për të mos krijuar pritje të gjata, pa asnjë problem apo incident, po përmbyllet suksesshëm e diela.

“Suksesi i ditës së sotme është në masën më të madhe falë punës së policëve, kolegëve të Enver Zymberit i cili po që se nuk do të vritej në përpjekjet për shtrirje të sovranitetit e integritetit territorial, do të festonte ditëlindjen e tij. Profesionalizmi i gjithë zyrtarëve policorë sot, është urimi më i mirë që do të mund ta merrte ai. Gëzuar ditëlindjen Enver Zymberi, nga të gjithë kolegët e tu që me përkushtim të madh ja dolën sot dhe nga qytetarët që po i jetojnë ditët e triumfit të shtetit tonë”, ka shkruar ai.

Sot në Serbi janë mbajtur zgjedhjet presidenciale, parlamentare dhe një pjesë lokale. Serbët e Kosovës, ndryshe prej zgjedhjeve tjera, kanë votuar në Serbi dhe jo në Kosovë.