Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla bashkë me menaxhmentin e Policisë së Kosovës, në orët e pasdites ka pritur në takim tre zyrtarët policorë kufitarë, Rifat Zeka, Beqir Sefa dhe Mustafë Shema, të cilët ishin kidnapuar nga njësitet policore-ushtarake të Serbisë, brenda territorit të Republikës së Kosovës, në kohën kur ata ishin në detyrë zyrtare.
Në një njoftim për media të Ministrisë së Punëve të Brendshme, thuhet që të tre zyrtarëve policorë në seancën gjyqësore të së hënës në Kralevë iu është konfirmuar aktakuza dhe janë liruar me procedurë të rregullt, gjë që siç thuhet, nënkupton që ndaj tyre do të vijojnë thirrjet dhe përndjekjet nga Serbia.
“Gjendja e tyre shëndetësore fizike është relativisht e mirë por me vullnet të fortë dhe kurajë për të vazhduar detyrën në mbrojtje të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë. Ministri Sveçla shprehi mbështetjen e të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës duke theksuar përkushtimin që ky rast i paprecedentë i Serbisë të mos kalojë pa përgjegjësi. Ky rast i montuar ndaj pjesëtarëve të Policisë duhet të mbyllet pa kushte dhe në tërësi. Serbia duhet të gjykohet për agresionin e saj”, thuhet në njoftim.
{gallery}