Arbëri

Suspendohet polici në Prizren që s’reagoi ndaj sulmit të protestuesve ndaj gazetarit

IPK

Është suspenduar për 72 orë një zyrtar policor në Prizren.

Siç ka njoftuar Policia përmes një komunikate, i njëjti është suspenduar pasi nuk ka reaguar në mënyrë profesionale në rastin e sulmit ndaj një gazetari në Prizren.

Ndërkaq lidhur me sulmin nga protestuesit, është arrestuar një person i cili është dërguar në mbajtje për 48 orë.

“Dje më datë 11.08.2023 në Prizren është organizuar një protesta kundër disa performancave në DokuFest, një festival ndërkombëtar tradicional i filmave dokumentar që mbahet në Prizren. Në atë rast nga protestuesit një gazetar është sulmuar dhe është penguar në kryerjen e detyrës së tij. Lidhur me këtë policia në konsultim me prokurorin ka iniciuar rast ‘Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare’. Lidhur me rastin është identifikuar një i dyshimtë, i cili pas intervistimit është ndaluar për 48 orë”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu bëhet e ditur se Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren së bashku me Inspektoratin Policor të Kosovës kanë analizuar veprimet policore të policëve që ishin në vend ngjarje gjatë incidentit.

“Pas vlerësimit dhe analizimit të të gjitha raporteve si dhe videoregjistrimeve gjatë protestës, Drejtori Rajonal i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prizrenit, pas konsultimin dhe sugjerimin nga IPK, me qëllim të hetimit të pavarur të këtij rasti, me vendim ka suspenduar për 72 orë një rreshter policor nga Stacioni Policor Prizren”, thuhet në njoftim.