Publicisti Veton Surroi ka sugjeruar që Kosova të marrë mendim nga Komisioni i Venecias mbi përputhshmërinë mes natyrës së vendimmarrjes në Kartën e Bordit të Paqes së iniciuar nga Donald Trumpi, gjegjësisht Bordit të Paqes si organizatë dhe Kushtetutës së Kosovës.
Ai ka thënë se kjo duhet të bëhet para se çështja e ratifikimit të anëtarësimit të shkojë në Kuvend. Në një shkrim në Facebook, Surroi ka thënë se pavarësisht kërkesës për sqarim, kjo s’do të thotë heqje dorë nga nënshkrimi.
“Ratifikimi i anëtarësimit nga ana e dy të tretave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës do të nënkuptonte që ligjet e Kosovës, të tanishme dhe të ardhshme, t’i nënshtrohen Kartës së Bordit të Paqes. Para se të iniciohej ky ratifikim i anëtarësimit të Kosovës në Bordin e Paqes do t’ia vlente që Kosova të merrte një mendim nga Komisioni i Venecias mbi përputhshmërinë mes natyrës së vendimmarrjes në Kartë, gjegjësisht të Bordit të paqes si organizatë dhe Kushtetutës së Kosovës. Kërkesa për mendim sqarues kushtetues nga Komisioni i Venecias nuk do të thotë heqje dorë nga nënshkrimi. Kosova sipas Kartës së Bordit të paqes mund të vazhdojë si një anëtar pa të drejtë vote deri në vendimin eventual se nevojitet ratifikimi parlamentar”, ka shkruar ai.
Surroi sugjerimin e ka bërë duke marrë për bazë qëndrimet e Italisë dhe të Gjermanisë që kanë thënë se nuk po marrin pjesë në këtë bord për shkak të shpërputhjes mes kushtetutave të tyre dhe Bordit të Paqes, sidomos në pjesët për ndarjen e sovranitetit dhe strukturimit të qeverisjes në Bordin e Paqes.
Më 22 janar, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nënshkroi në Davos anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. Tani kërkohet ratifikimi në Kuvend.
Bordi i Paqes është pritur me kritika për shkak të mandatit që ai përfaqëson dhe nëse është iniciativë që synon të zëvendësojë Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Shumica e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian nuk kanë pranuar të bashkohen e Izraeli ende nuk e ka nënshkruar zyrtarisht anëtarësimin në të.
Bordi i Paqes është organ i ri ndërkombëtar i iniciuar nga presidenti amerikan, i cili synon mbikëqyrjen e zbatimit të planeve të paqes në zonat e konfliktit, me fokus fillestar në Rripin e Gazës.
Sipas planit të paqes të Trumpit për Gazën, Bordi i Paqes përshkruhet si një “organ i ri ndërkombëtar tranzitor”, i cili do të ndihmojë në mbikëqyrjen e rindërtimit të enklavës palestineze. Anëtarët e këtij bordi pritet të jenë udhëheqës botërorë, me presidentin Trump në krye.