Arbëri

Surroi: Pandemia i vuri në pah dobësitë

Publicisti Veton Surroi vlerëson se pandemia e ka sulmuar shoqërinë në dobësitë e veta. I ka treguar ato dobësi çfarë janë, duke filluar nga sistemi shëndetësor, ai i arsimit e po ashtu ekonomia.

“Nga kjo pandemi kemi mësuar, se si virusi që i sulmon gjitha dobësitë e trupit edhe pandemia e ka sulmuar shoqërinë në dobësitë e veta. I ka treguar ato dobësi çfarë janë. Sistemi shëndetësor, të gjithë u orientuan nga sistemi publik shëndetësor, edhe pse Kosova nuk ka sistem të sigurimit shëndetësor. I vetmi vend në Evropë ku nuk ekziston sistem i sigurimit shëndetësor. Kur erdhi puna te pandemia të gjithë u drejtuan nga ai sistem publik shëndetësor që është vjedhë, keqmenaxhuar e keqtrajtuar e në fund shpëtimi kërkohej prej atyre mjekëve, prej atyre infermierëve që janë shpërfillë apo keqtrajtu në mungesë të një sistemi. E njëjta gjë ndodh në Arsim, përnjëherë është kërkuar që një sistem që nuk ka funksionuar edhe kështu , tash të funksionojë online e të jap rezultate në situatë të jashtëzakonshme”, ka thënë Surroi në DESKUN e KOHËS. “Ekonomia është dëshmuar se prodhoj apo nuk prodhoj, buxheti mbushet prej të hyrave nga diaspora. Prodhimi kryesor kosovar është nga diaspora. Kjo është dëshmuar me buxhetin që do të mbushet sivjet dhe vitin e ardhshëm”.

Ai ka thënë se janë vënë në pah edhe dobësitë politike në mes të pandemisë, ku është zhvillu një luftë politike se cilët po e lexojnë më mirë Amerikën e cilët më mirë evropianët.

“Hymë në një konflikt që nuk rezultoi me asgjë të mirë për këtë vend. Degjeneroi deri aq sa kemi një zvarritje disa mujore të një Qeverie që nuk i mbledhë në parlament as ithtarët e vet. Kemi krizë legjitimiteti politik në vend dhe po hyjmë në vitin e ardhshëm me përvojën që të zgjidhet kjo krizë”.