Me ekspozimin e 60 botimeve nga shkrimtarë të ndryshëm, në Gjakovë u shënua 15-vjetori i themelimit të Shoqatës së Intelektualëve "Jakova".
Një ligjëratë para të pranishmëve e ka mbajtur publicisti dhe shkrimtari, Veton Surroi, me ç’rast foli për shtetin e kapur dhe pikën në të cilën ka arritur Kosova, si pasojë e mungesës së mendimit të intelektualëve, raporton KTV.
Sipas Surroit, intelektualët e kohës së para-luftës kanë arritur të projektojnë ardhmërinë e shtetit të tyre, ndërkaq sot njerëz jointelektualë e kanë sjellë vendin në një gjendje tejet të vështirë.
Ai theksoi se më e keqja është se edhe e ardhmja e fëmijëve rrezikohet nga një sistem i dobët arsimor.
Me këtë rast, Surroi tha se bisedimet me Serbinë duhet të përmbyllen kur të zbardhet fati i të gjithë të pagjeturve.
Themeluesit e kësaj shoqate kujtuan veprimtarinë e tyre nga themelimi e tutje.
Kryetari i kësaj komune, Ardian Gjini, uroi që shoqata ta vazhdojë punën edhe në të ardhmen.
Në fund të këtij organizimi u ndanë edhe mirënjohje për veprimtarët e kësaj shoqate.