Shkrimtari dhe publicisti Veton Surroi, tha se Kosovës dhe Serbisë i duhet një marrëveshje gjithëpërfshirëse e paqes, e jo marrëveshje obligative, raporton KTV.
Ai në tryezën e organizuar nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur me titull “Negociatat Kosovë-Serbi: Një qasje racionale”, tha se çështja sot është tek palët, gjegjësisht te spektri politik i Kosovës dhe te shoqëria civile, që të gjejnë se cilat janë shtyllat që duhet të diskutohen në këtë dialog.
Sipas tij, bisedimet në mes të Kosovës dhe Serbisë të filluara në 2011-tën kanë krijuar iluzion se problemet në mes të dyja vendeve do të zgjidhen vetvetiu. Ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt, deklaroi se është me rëndësi formimi i një vizioni më të gjerë strategjik sa i përket dialogut Kosovë - Serbi.
Ai tha se dialogu është një proces i cili mund të ketë një moderator, por përgjegjësia bie mbi palët që dialogojnë, duke pasur një vizion se ku dëshirojnë për vendet e tyre. Jeta Krasniqi nga KDI tha se mungon një qëndrim unik qoftë edhe i një mazhorance të konsoliduar se çfarë kërkon Kosova në këto bisedime.
Në fund Nenad Rashiq tha se serbët e Kosovës janë të lënë jashtë këtij procesi si nga Prishtina ashtu edhe nga Beogradi.