Arbëri

Supremja vërteton pafajësinë e Hasanit sa ishte rektor, ky thotë se Prokurori e ndoqi pa të drejtë

Enver Hasani përfundimisht, është shpallur i pafajshëm nga akuzat për mashtrim të detyrës sa ishte rektor i Universitetit të Prishtinës.

Shkalla e tretë dhe rrjedhimisht më e larta, Gjykata Supreme e ka vërtetuar vendimin e Apelit, raporton KTV.

Në majin e këtij viti, Gjykata e Apelit pas vlerësimit të ankesave të mbrojtësit të Enver Hasanit kishte konstatuar se nuk është vërtetuar fakti se Enver Hasani sipas marrëveshjes paraprake me të akuzuarin Hakif Veliu me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore kishte falsifikuar dhe ndryshuar kontratën origjinale për përkthimin e librave nga gjuha angleze në gjuhën shqipe.

“Përfundimin e gjykatës së shkallës së dytë në raport me të pandehurin Enver Hasani janë të drejta dhe të bazuara në ligj”, ka kontestuar ndër të tjera Supremja.

Me këtë, Supremja ka refuzuar kërkesën e Prokurorit të Shtetit si të pabazuar, për faktin se sipas tyre, Prokurori i Shtetit ka dështuar të japë shpjegime se cilat fakte e lidhin Hasanin me Jorgji Qirjakon.

“Nga përmbajtja e emailit të adresuar në emër të Enver Hasanit që mban datën 8.10.2008, nga zv.drejtori i ISN-së, Jorgji Qirjako, nuk mund të kuptohet dhe nuk del mënyra e bashkëpunimit të këtij të pandehuri me të tjerët... Kjo, pasi Enver Hasani asnjëherë nuk i është përgjigjur këtij emaili, prandaj nuk mund të konsiderohet se mes tyre ka pasur korrespodenca siç pa të drejtë, pretendon Prokurori i Shtetit”, thuhet në vendimin e Supremes.

Tutje, Supremja ka bërë të ditur se kjo nuk ka qenë prova e vetme e izoluar në këtë çështje penale. Përkundrazi, aktgjykimi kundërshtues mbështetet edhe në prova të tjera formale dhe materiale, e të cilat si të ligjshme i pranon edhe Gjykata.

Por, Supremja ka kthyer në rivendosje vendimin për Hakif Veliun dhe Albert Ragipin, duke e anuluar vendimin e Apelit.

Kjo, pasi ka gjetur se në rastin konkret aktgjykimi i shkallës së dytë ka shkelur të drejtat për një gjykim të drejtë e të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës se Kosovës.

Gjykata Themelor në Prishtinë më 18 tetor të 2017 e kishte dënuar ish-rektorin Enver Hasani me 1 vjet burgim me kusht lidhur me kontratën për përkthimin e librave nga anglishtja në shqip për Universitetin e Prishtinës.