Është sulmuar nga hakerët Banka Ekonomike e Kosovës. Sipas një artikulli nga “medium.com”, hakimi është bërë nga “DopplePaymer” që kanë në cak korporata të mëdha.
Sipas njoftimit, “DopplePaymer” ka publikuar të dhënat e bankës prej më shumë se 70gigabajt me të dhëna të transaksioneve financiare.
Në raportim theksohet se Banka Ekonomike është banka e vetme që në Kosovë operon 100 për qind në aspektin lokal. Ajo ka 30 nëndegë, të ndara në shtatë rajone. Sipas të dhënave më 2018, Banka Ekonomike ishte e treta në Kosovë me shtrirjen e saj.
Rasti është konfirmuar nga Banka Ekonomike dhe ajo Qendrore e Kosovës. Të dyja kanë thënë se kanë njoftuar autoritete me kohë e se mjetet e klientëve nuk janë prekur.
“Me qëllim të informimit të drejtë dhe evitimit të shqetësimeve eventuale të klientëve tanë, njoftojmë të gjithë klientët se Banka Ekonomike ka qenë cak i një sulmi kibernetik, ku për pasojë një numër i caktuar i sistemeve janë infektuar me virus dhe të njëjtin e kemi izoluar me kohë duke siguruar që janë zbatuar masat më të larta të sigurisë në këtë aspekt. Banka Ekonomike menjëherë pasi që ka ndodhur rasti, ka ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm ligjor duke njoftuar të gjitha organet kompetente dhe të njëjtat janë duke e hetuar rastin. Banka Ekonomike i siguron të gjithë klientët e saj, se të gjitha llogaritë dhe mjetet e klientëve tanë, si dhe të dhënat e tyre janë të sigurta, pasi që ky sulm ka të bëjë me rrjedhjen e informatave që lidhen me fushën e privatësisë”, thuhet në njoftimin e Bankës Ekonomike duke përsëritur se s’ka hapësirë për shqetësime.
Edhe
Sulmet kibernetike në BKS, Hoxhaj: Të dhënat e klientëve janë të rrezikuara
Po ashtu është kërkuar që të ndalet shpërndarja e informatave të publikuara nga hakerët.
“Konform fushëveprimit dhe mandatit të BQK-së, ju informojmë që mjetet në llogaritë e klientëve janë të sigurta, por që sulmi kibernetik ka të bëjë me rrjedhje të informatave që lidhen me fushën e privatësisë. Banka në fjalë, tashmë ka ndërmarrë hapat konkret në kontekst të hulumtimit dhe eliminimit të këtij sulmi kibernetik. Po ashtu, BQK përcjellë në vazhdimësi stabilitetin e sektorit bankar dhe të bankave individuale, e që bazuar në treguesit kryesor financiar sektori bankar është stabil”, thuhet në njoftim të BQK-së.