Arbëri

Sukseset e ushtarëve të UÇK-së, vihet gurthemeli i pllakës përkujtimore në Carralevë

Ish-udhëheqësit e luftës së UÇK-së të Batalionit të Dytë “Ruzhdi Salihu” me mbështetje nga Komuna e Shtimes kanë nisur gurthemelin e një pllake përkujtimore në fshatin Carralevë, e cila simbolizon sukseset e betejës së 14 qershorit.

Në këtë ceremoni, ish-udhëheqësi i këtij batalioni Ramiz Qeriqi, ka thënë se kjo pllakë përkujtimore paraqet historinë, kulturën, vlerat, sakrificat, rezistencën dhe sukseset e luftës çlirimtare të popullit tonë me përmasat e veta të mëdha, me theks të veçantë të zonës ku ka vepruar Batalioni i Dytë “Ruzhdi Salihu”.

“Ky lokacion ishte ndër betejat më të suksesshme të batalionit tonë derisa ushtarët e UÇK-së kanë parandaluar hyrjen e forcave serbe në territorin e Drenicës të cilët kishin për qëllim masakrimin e popullatës sonë. Në këtë pllakë do të ketë mbishkrime për suksesin e ushtarëve të UÇK-së të cilët i kanë bërë rezistencë forcave ushtarake serbe”, ka thënë Qeriqi.

Sipas tij, kjo pllakë përkujtimore nderon dhe respekton të gjithë ata që kanë dhënë kontribut për mbrojtjen e popullatës civile dhe mbrojtjen e trojeve kombëtare. Qeriqi ka shtuar se kjo pllakë është e vetmja në vend e cila simbolizon sukseset e ushtarëve të UÇK-së.