Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Suhadollasit kthehen në listat e votuesve të Komunës së Mitrovicës Jugore

KQZ ka mënjanuar të gjitha paqartësitë lidhur me vendvotimin e shqiptarëve të Suhadollit dhe Lagjes së Doktorëve, që shtrihen në veri të lumit Ibër, në zgjedhjet e ardhshme.

Me vendimin që KQZ ka marrë në mbledhjen e mbajtur më 07.08.2017, drejtuar nga kryetarja Valdete Daka, banorët e lagjeve Suhadoll i Poshtëm, Suhadoll i Epërm dhe ata të Lagjes së Doktorëve, në zgjedhjet e ardhshme do të jenë në listat e votuesve të Komunës Mitrovica e Jugut, e jo në ato të Mitrovicës Veriore, siç kishte ndodhur në zgjedhjet e kaluara.

“Në të vërtetë, KQZ këtë vendim e ka marrë pas kërkesës së vet banorëve-votuesve shqiptarë që jetojnë në lagjet e lartpërmendura në veri të lumit Ibër, si dhe të kërkesës së kryetarit të Komunës së Mitrovicës Jugore, Agim Bahtiri, pasi që këto lagje me Pakon e Presidentit Ahtisaari i takonin komunës Mitrovica Jugore e jo Komunës Mitrovica Veriore”, thuhet në njoftimin për media të Komunës së Mitrovicës Jugore.

Komuna e Mitrovicës Jugore në këtë njoftim thotë po ashtu se drejtuesit serbë të Komunës së Mitrovicës Veriore nuk e nënshkruanin dokumentin i cili përcakton vijën administrative ndarëse me komunën e Mitrovicës Jugore, duke kërkuar ndryshimin e pakos Ahtisaari lidhur me përcaktimin e kufijve administrativë midis dy komunave të Mitrovicës, me arsyetimin se Suhadolli i Poshtëm, Suhadolli i Epërm dhe Lagja e Doktorëve i takojnë Mitrovicës Veriore, pasi që një numër i madh i banorëve e këtyre lagjeve ishin futur në listat e votuesve të kësaj komune dhe kishin votuar për kandidatët për këshilltarë të Kuvendit të kësaj Komunës.

“Kryetari i Komunës Mitrovica Jugore, Agim Bahtiri nuk kishte pranuar në asnjë mënyrë që të ndryshohen kufijtë administrativë të caktuar me pakon e Presidentit Ahtisaari, andaj marrëveshja për përcaktimin kufijve administrativë midis dy komunave të Mitrovicës, ka mbetur ende pa u nënshkrua”, thuhet më tej në këtë njoftim.

Njoftimi po ashtu thotë se Bahtiri e ka mirëpritur vendimin e KQZ-së dhe i ka bërë ftesë kryetarit të Mitrovicës Veriore, Goran Rakiq që të ulen dhe të nënshkruajnë marrëveshjen për definimin e kufijve administrativë midis dy komunave, “pasi që tani më nuk ka asnjë çështje kontestuese lidhur me këtë”.

Edhe Pa votën serbe nuk mund të bashkohet Mitrovica Arbëri Pa votën serbe nuk mund të bashkohet Mitrovica

Komuna e Mitrovicës Jugore thotë më tej se lagjet Suhadoll i Poshtëm e Suhadoll i Epërm dhe Lagja e Doktorëve, në zgjedhjet e ardhshme do të votojnë në qendrën aktuale, ku kanë votuar edhe në zgjedhjet e kaluara, në paralelen e ndarë të Shkollës fillore “Aziz Sylejmani”, që si objekt menaxhohet nga Drejtoria e Arsimit të Komunës së Mitrovicës së Jugut, qendër kjo e votimit që tani e tutje do të mbajë kodin e Komunës së Mitrovicës Jugore.

Ndërkaq, për votuesit e lagjes së “Tre Rrokaqiejve” dhe asaj “7 Shtatori”, Komuna e Mitrovicës Jugore thotë se do të hapet një qendër e votimit afër këtyre dy lagjeve, në shtëpi private, e cila është identifikuar nga Komisioni Komunal i Zgjedhjeve të Mitrovicës së Veriut, që do të mbaj kodin zgjedhor të kësaj komune.