Përfundoi në Prishtinë moduli II i Shkollës tradicionale të etikës së gazetarisë për studentët e gazetarisë dhe gazetarët e rinj nga të gjitha etnitë e Kosovës.
Gjatë kësaj Shkolle, Nehat Islami, drejtor ekzekutiv i KMShK-së informoi pjesëmarrësit lidhur me historinë e vetërregullimit të mediave në Evropë dhe në Kosovë, e në veçanti me veprimtarinë 13 vjeçar të KMShK-së, e cila për çdo muaj vendos për një numër të madh të ankesave lidhur me shkrimet jo profesionale në mediat e shkruara dhe online.
Imer Mushkolaj, kryetar i Kuvendit të KMShK-së ligjëroi temën “Lajmet e rreme – si t’i dekonstruktojmë”, ndërsa Valon Canhasi, drejtor ekzekutiv në Hallakate, për “Rrjetet sociale dhe etikën”.
Gjatë ditës së dytë pjesëmarrësit vizituan redaksinë e gazetës 'Zëri', ku u njoftuan me organizimin dhe funksionimin si të gazetës ashtu edhe të medias online.
Pjesëmarrësit përcollën me interesim edhe ligjëratën e Besnik Boletinit, gazetar në Preportr për Etikën në gazetarinë hulumtuese. Gjithashtu, pjesëmarrësit simuluan shqyrtimin dhe vendimet lidhur me disa ankesa. Në këtë mënyrë ata dëshmuan se janë përgatitur me njohuritë nga etika e gazetarisë si dhe kanë zotëruar parimet themelore të Kodit të Mediave të Shkruara.
Ky aktivitet është financuar nga projekti ‘Përkrahja e Luksemburgut për shoqërinë civile në Kosovë’, financuar nga Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).