Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Stoltenberg u bën thirrje Kosovës e Serbisë: Përmbajuni zotimeve tuaja

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se aleanca ushtarake e mbështet fuqishëm dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Ai ka theksuar se dialogu është e vetmja mënyrë për të zgjidhur çështjet e mbetura pezull mes të dyja vendeve.

Stoltenberg ka deklaruar se mirëpret takimin Kurti-Vuçiq në Bruksel javën e ardhshme, ndërsa ka theksuar se ky takim “është mundësi për Kosovën që të demonstrojë se është palë e përgjegjshme që vepron në mënyrë konstruktive në dobi të sigurisë euroatlantike”.

Duke folur për gjendjen në veri, ka potencuar se KFOR-i po vazhdon monitorimin.

“Stabiliteti rajonit dhe siguria e trupave të KFOR-it varet nga të gjitha palët që respektojnë zotimet ekzistuese. Në përputhje me zotimet e Prishtinës të vitit 2013, çdo zbarkim i Forcës së Sigurisë së Kosovës në veri kërkon pëlqimin e KFOR-it. Presim konsultimet me kohë në çfarëdolloj zbarkimi që mund të ndikojë në mjedisin e sigurisë”.

Ai ka inkurajuar Kosovën dhe Serbinë që t’u përmbahen zotimeve të tyre.

Edhe NATO-ja e gatshme t’i shtojë trupat në Kosovë, Stoltenberg: Situata në rajon e brishtë Arbëri NATO-ja e gatshme t’i shtojë trupat në Kosovë, Stoltenberg: Situata në rajon e brishtë

“Ne mirëpresim hapat e fundit të Prishtinës që janë ndërmarrë për të ulur tensionet, përfshirë zvogëlimin e numrit të forcave dhe planet për zgjedhje. Është esenciale të anashkalohen çfarëdo lloj eskalimi të mëtejme. I inkurajojmë të dyja palët të veprojnë sipas zotimeve të tyre”.


Stoltenberg mohon se NATO-ja po i mbyll sytë karshi mossanksionimit të Rusisë nga Serbia

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka folur edhe për deklarimet nga spektri politik në Kosovë dhe Ballkan, se bashkësia ndërkombëtare dhe NATO-ja po i mbyllin sytë karshi veprimeve të Serbisë, ndërkohë që Kosova ka ndihmuar në sanksionimin e Rusisë.

“Jo nuk është kështu, i kemi shumë të qarta mesazhet tona në Beograd, dhe këtë e kam theksuar shumë qartë në takimin tim me z.Vuçiq këtë javë”, ka theksuar Stoltenberg në konferencën e përbashkët me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani, të mbajtur të enjten pas takimit që kanë zhvilluar.

Ndërsa presidentja Osmani ka thënë se Serbia vazhdon të ketë 48 baza përreth kufirit me Kosovën, që sipas saj quhen “qendra humanitare ruse”.

“Serbia vazhdon ta rrisë praninë e saj ushtarake por edhe bashkëpunimin ekonomik me Rusinë dhe politikën e saj të jashtme e koordinon plotësisht me Rusinë. Në anën tjetër Kosova është në përputhje me çdo vendim të politikës së jashtme të BE-së dhe të NATO-s”, ka theksuar Osmani.

Edhe Stoltenbergu përmend mundësinë e përforcimit afatgjatë të KFOR-it në Kosovë Arbëri Stoltenbergu përmend mundësinë e përforcimit afatgjatë të KFOR-it në Kosovë

Sipas saj është e qartë se kush janë partnerët e komunitetit euroatlantik në rajon.

“Por njëkohësisht jemi të vetëdijshëm që përafrimi i Serbisë me komunitetit euroatlantik, përafrimi i Serbisë me Perëndimin është në interes të të gjithë neve. Serbia duhet të bëjë së paku disa detyra të shtëpisë para se ta marr mbështetjen që aktualisht e ka nga Bashkimi Evropian, sepse fondet e BE-së duhet të shkojnë me vlerat e BE-së e kjo nuk po ndodh aktualisht”, ka theksuar Osmani.