Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, para takimit të ministrave të jashtme të NATO-s, ka thënë se aleanca do të bëjë çfarëdo që të jetë e mundur për ta siguruar stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
Stoltenberg ka thënë se në Kosovë janë parë incidente serioze, ndërsa ka përmendur lëndimet e ushtarëve të KFOR-it e po ashtu sulmin terrorist në Banjskë.
“Atë që po shohim është rritje të tensioneve. Kemi parë incidente shumë serioze të dhunës në Kosovë, përfshirë edhe sulmin ndaj trupave paqeruajtëse të NATO-s – 93 ushtarë të NATO-s u plagosën, disa u plagosën shumë seriozisht. Dhe po ashtu pamë incidentet në Banjskë, ku tre persona u vranë në shtator në Kosovë. Këto janë incidente shumë serioze dhe ne duhet të qëndrojmë të fokusuar në Ballkanin Perëndimor. NATO do të bëjë çfarë të jetë e nevojshme për ta ruajtur apo siguruar stabilitetin në rajon, pasi është e rëndësishme jo vetëm për Ballkanin Perëndimor, por edhe gjithë Evropën dhe NATO-n. Ne kemi prani atje. Ne punojmë bashkë me Bashkimin Evropian, forcën EUFOR në Bosnjë-Hercegovinë. Dhe kemi prezencë në Kosovë. Dhe pas rritjes së tensioneve, gjatë javëve të fundit, ne kemi shtuar njëmijë trupa tjerë në prezencën tonë ushtarake në Kosovë, dhe po punojmë ngushtë me partnerët, me aleatët në rajon për t’u përkujdesur që të bëjmë çfarë të jetë e mundur për t’i ulur tensionet dhe parandaluar çdo përshkallëzim të konfliktit”, ka thënë Stoltenberg.